Shtetasi suedez dyshohet për krim të organizuar, falsifikim dokumentesh dhe vjedhje identiteti

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe autoritetet suedeze, ka arrestuar sot në Prishtinë A. B., shtetas suedez, i dyshuar për krim të organizuar, import dhe shitje të paautorizuar të armëve dhe municioneve, falsifikimit të dokumenteve dhe vjedhjes së identitetit.

Sipas hetimeve, i dyshuari dyshohet se, si drejtues i një grupi kriminal, ka blerë armë dhe municione me qëllim transportimin dhe shitjen e tyre.

Gjithashtu, dyshohet se ka falsifikuar dokumente dhe ka vjedhur identitet të huaj për të kryer mashtrime.

Autoritetet e Kosovës kanë bashkëpunuar ngushtë me autoritetet suedeze, pasi i dyshuari ishte në kërkim ndërkombëtar nga Suedia. Falë këtij bashkëpunimi, ai është lokalizuar dhe arrestuar më 1 dhjetor 2025.

Gjatë arrestimit në banesën e tij janë sekuestruar:

  • 52,480 euro para të gatshme
  • Patentë shoferi suedeze dhe letërnjoftim suedez me dyshim të falsifikuar
  • Tre telefona celularë
  • Orë Rolex ngjyrë e bardhë – ari
  • Një HDD SEAGATE
  • Një DVR
  • Një veturë

Kjo nuk është hera e parë që ndaj të dyshuarit janë marrë masa.

Gjatë një operacioni më 12 mars 2023, në prona të lidhura me të ishin sekuestruar 20 armë AK-47, 20 karikatorë, dy automjete, gjashtë telefona dhe dokumente relevante për rastin.

I dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe Prokuroria Speciale do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Të fundit nga rubrika