Shtyhen seancat ndaj Naim Murselit – kërkohet kohë shtesë për ekzaminimin psikiatrik
Seancat gjyqësore ndaj Naim Murselit dhe të akuzuarve të tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt, të parapara të mbaheshin më 2 dhe 9 korrik, janë shtyrë. Kjo për shkak se Instituti i Psikiatrisë Forenzike, ku Murseli po i nënshtrohet ekzaminimit psikiatrik, ka kërkuar kohë shtesë për përfundimin e procesit. Lajmi është konfirmuar për Dukagjinin nga […]
Seancat gjyqësore ndaj Naim Murselit dhe të akuzuarve të tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt, të parapara të mbaheshin më 2 dhe 9 korrik, janë shtyrë.
Kjo për shkak se Instituti i Psikiatrisë Forenzike, ku Murseli po i nënshtrohet ekzaminimit psikiatrik, ka kërkuar kohë shtesë për përfundimin e procesit.
Lajmi është konfirmuar për Dukagjinin nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Në seancën e planifikuar për nesër, ishte paraparë të niste dëgjimi i dëshmitarëve në këtë rast të rëndë.
Që nga mesi i qershorit, Naim Murseli është duke qëndruar në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), me vendim të gjykatës, për një vlerësim të gjendjes së tij psikike.
Kërkesa për ekzaminim psikiatrik është bërë nga mbrojtja e Murselit, e cila ka pretenduar se ai ka shfaqur shenja të paqëndrueshmërisë mendore.
Megjithatë, në seancat e mëparshme, përfshirë shqyrtimin fillestar dhe atë të parë gjyqësor, Murseli është deklaruar i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Murseli dyshohet se ka organizuar vrasjen e Liridona Ademajt për motive hakmarrjeje dhe përfitimi financiar, përmes një sigurimi jetësor në Suedi në vlerë prej rreth 260 mijë eurosh.
Në këtë plan, ai dyshohet se ka përfshirë edhe dy persona të tjerë – Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën – të cilëve u kishte premtuar shumën prej 30 mijë eurosh për ta kryer krimin.
Vrasja kishte ndodhur më 29 nëntor 2023, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht u raportua si një rast grabitjeje, por hetimet zbuluan se bëhej fjalë për një inskenim.















