Është vazhduar për 10 ditë afati i konkursit për policë në veri.

Përmes një postimi në Facebook, Policia e Kosovës ka njoftuar se afati për paraqitjen e aplikacioneve për të gjithë ata që duan t’i bashkohen Policisë së Kosovës për katër komunat në veri ka vazhduar.

“VAZHDON AFATI I KONKURSIT – PRODUŽENJE ROKA KONKURSA/ Afati për paraqitjen e aplikacioneve vazhdohet për dhjetë (10) ditë duke filluar nga data 27.01.2023 deri me datë 10.02.2023”, thuhet në njoftim.

Krahas kësaj, PK ka njoftuar se kriteret në konkurs mbeten të njëjtat dhe se njëherit, kandidatët të cilët kanë konkurruar në këtë konkurs nuk është e nevojshme të aplikojnë përsëri.

Policia e Kosovës thotë se çdo herë ka inkurajuar dhe vazhdon ti inkurajojë dhe fton qytetarët e të gjitha komuniteteve pakicë që të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës.

“Me qëllim të dhënies së mundësive shtesë, sikurse edhe në të kaluarën Policia e Kosovës ka vazhduar afatin e aplikimit në këtë konkurse të hapur për komunitetet pakicë, deri me datën 10 shkurt 2023. Ndërsa sa i përket procesit/çështjeve të mëtejme rreth konkursit në fjalë do të informoheni me kohë sipas planifikimeve/fazave që parashihen. Policia e Kosovës, përmes video mesazheve, fushatave sensibilizuese dhe takimeve zyrtare që po mbahen në të gjitha rajonet, ç’do herë ka inkurajuar dhe vazhdon ti inkurajon dhe fton qytetarët e të gjitha komuniteteve pakicë që të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës”, kanë thënë nga Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun.

Në këtë konkurs, të drejtë aplikimi kanë të gjitha komunitetet (serbë, boshnjakë, turq, goranë, romë, ashkali, egjiptas, kroatë, malazezë e maqedonë).

Konkursi vie pas pas dorëheqjeve të policëve serbë nga pozitat e tyre të punës në katër komunat veriore.