Ka dështuar të mbahet seanca fillestare në mungesë ndaj 21 të akuzuarve për dëbimin me forcë të civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës së viteve 1998-1999, pasi pjesa më e madhe e avokatëve mbrojtës deklaruan se nuk kanë pranuar shkresat e lëndës dhe provat.
Seanca është ndërprerë pasi gjyqtarja Medie Bytyqi konstatoi se një pjesë e avokatëve nuk ishin pajisur me materialet e nevojshme të lëndës. Ajo kërkoi që shkresat dhe provat të siguroheshin nga Prokuroria Speciale dhe t’u dorëzoheshin avokatëve.
Gjyqtarja Bytyqi tha se, bazuar në qëndrimet e avokatëve, ishte vërejtur se nuk ishin bërë përpjekjet e nevojshme për sigurimin e shkresave të lëndës dhe se Gjykata nuk ishte njoftuar për këtë çështje.
“Me qenë se mora qëndrimin e gjithë avokatëve, disa kërkuan që të pajisen edhe me shkresa të lëndës, është vërejtur që nuk është bërë përpjekje për sigurimin e shkresave të lëndës, nuk është njoftuar Gjykata, me qenë se Prokuroria i ka shkresat”, tha ajo.
Ndërkaq, prokurori Atdhe Dema tha se një pjesë e avokatëve tashmë janë pajisur me shkresat e lëndës, ndërsa për pjesën tjetër tha se ato mund t’u dorëzohen gjatë kësaj seance.
Megjithatë, gjyqtarja Bytyqi mori vendim për shtyrjen e seancës, pas kundërshtimit për vazhdimin e saj.
“Me qenëse kemi kundërshtim për të vazhduar sot me seancë, marr aktvendim shtyhet shqyrtimi fillestar 28 shtator nga ora 09:30”, tha ajo. Sipas aktakuzës, 21 të akuzuarit nga Prokuroria Speciale akuzohen se gjatë muajve janar-qershor të vitit 1999, gjatë konfliktit të armatosur dhe luftës në Kosovë, kanë ushtruar autoritet dhe kontroll efektiv mbi forcat që vepronin nën përgjegjësinë e tyre.
Aktakuza pretendon se të akuzuarit kanë qenë në dijeni, përmes raporteve operative, komunikimeve të brendshme dhe pranisë nëpër zona, se në forcat nën komandën ose kontrollin e tyre po kryheshin veprime që përfshinin shkatërrimin e pronës, djegien e shtëpive dhe objekteve të infrastrukturës civile, përndjekjen dhe ndalimin arbitrar të personave mbi baza etnike, si dhe sulme të armatosura ndaj fshatrave dhe qyteteve të banuara me popullsi civile shqiptare.
Sipas aktakuzës, këto veprime rezultuan me organizimin e kolonave të detyruara të civilëve shqiptarë, me qëllim dëbimin e tyre nga Kosova drejt kufijve shtetërorë në drejtim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së atëhershme, ku në përgjithësi bëhet fjalë për rreth 862 mijë e 979 civilë të dëbuar.
Prokuroria pretendon gjithashtu se të pandehurit nuk kanë ndërmarrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme që ishin në kompetencën dhe përgjegjësinë e tyre për të parandaluar kryerjen e këtyre veprimeve, për t’i penguar autorët ose për t’i raportuar aktet e kundërligjshme tek autoritetet përkatëse.
Të pandehurit akuzohen për veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”./EO