Seanca gjyqësore ndaj dy të akuzuarve për spiunazh, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, është shtyrë për shkak të kërkesës së tyre për më shumë kohë për t’u deklaruar në lidhje me fajësinë apo pafajësinë e tyre.

Gjatë seancës, Bedri Shabani ka kërkuar kohë për të lexuar aktakuzën, duke shprehur se nuk ishte gati të jepte një deklaratë mbi akuzat. Për këtë arsye, Gjykata ka vendosur të shtyjë seancën, duke i dhënë të akuzuarve mundësinë për të përgatitur më mirë mbrojtjen e tyre.

Shabani dhe Qerimi akuzohen për dërgimin e informacionit të rëndësishëm, që ka përfshirë informacione mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Policinë e Kosovës, dhe institucione të tjera të rëndësishme, tek BIA serbe.

Në vitin 2024, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi u arrestuan në Ferizaj nën dyshimet për bashkëpunim me Shërbimin Informativ të Serbisë (BIA).

Sipas aktakuzës, Shabani akuzohet për mbledhjen dhe dërgimin e informacioneve, dokumenteve dhe materialeve lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ngjarje të tjera të ndjeshme. Ai ka transmetuar këto informacione përmes komunikimeve me zyrtarë të lartë të BIA-s dhe ish-komandantë të Policisë së Serbisë.

Po ashtu, Qerimi akuzohet për mbledhjen dhe dërgimin e informacioneve rreth UÇK-së, dëshmitarëve të njohur dhe institucioneve të sigurisë së Kosovës. Ai është akuzuar gjithashtu për mbajtjen e armëve pa leje, përfshirë një revole dhe fishekë, të cilat janë sekuestruar gjatë një kontrolli të realizuar nga Policia e Kosovës.