Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale pos që disa mbetën të pakënaqur me rezultatin, dikush ka qenë i pakënaqur edhe me procesin.
Një prej tyre, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla që atë ditë u sigurua që të këtë edhe prova për ankesë.
Ky shqetësim i Lëvizjes Vetëvendosje se LDK-ja e theu heshtjen zgjedhore më 9 nëntor, u refuzua si e pabazuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
“Paneli ka vlerësuar se nga provat e ofruara si dëshmi shihet se fotografimi është bërë jashtë rrethojave te vendvotimit respektivisht jashtë objektit te shkollës fillore “Faik Konica” pra videoja është bere ne rruge, e cila është shume e frekuentuar, si njëra nga rrugët kryesore te kryeqytetit, andaj kalimi i andej pari i aktivistit te LDK -se nuk vërtetohet se ka kryer aktivitet zgjedhor gjate ditës se zgjedhjeve gjegjësisht nuk ka thyer heshtjen zgjedhore”.
Pos saj, në drejtim të PZAP-së kanë shkuar edhe 71 ankesa tjera nga individ e subjekte të ndryshme politike.
E të bazuar, PZAP-ja ia ka konstatuar ankesën PDK-së në Mitrovicë të Jugut sepse Faton Peci mbajti tubim një ditë para zgjedhjeve në një hapësirë që të nesërmen do të shfrytëzohej për qendër votimi.
Për këtë LVV është dënuar 2500 euro.
“Më datë 08.11.2025, në oborrin e shkollës në fshatin Bajgorë, e cila është caktuar të shërbejë si qendër votimi për datën 09.11.2025, është zhvilluar një tubim elektoral nga kandidati për kryetar të Komunës së Mitrovicës, z. Faton Peci. Gjatë këtij aktiviteti politik, kandidati dhe përfaqësues të tjerë të subjektit Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kanë vendosur një tendë në hapësirat e shkollës, kanë mbajtur fjalime dhe kanë zhvilluar aktivitete elektorale pa marrë paraprakisht leje nga Komisioni Komunal Zgjedhor (KKZ) dhe pa miratimin e drejtorit të shkollës, siç parashihet me ligj”.
Shumica e ankesave të tjera, nga paneli i PZAP-së janë vlerësuar si të pabazuara ose edhe të pasafatshme, ndërkaq palët kanë të drejtë të ankohen edhe në Gjykatë Supreme.
E vetmja ankesë që është ende duke u shqyrtuar nga PZAP-ja është ajo e PDK-së, e cila vlerëson se kishte manipulim me vota për kryetar të Mitrovicës së Jugut, dhe kështu kërkon rivotim.