Në këto hapësira kaluan ditën e Fitër Bajramit. Për shkak të rrjedhjes së ujit ky apartament është bërë i pabanueshëm por gjithsesi familja Haliti nga Prishtina duhet ta ndajnë atë në mungesë të një opsioni tjetër.

Aty jetojnë shtatë anëtar dhe hapësira nuk është aspak e mjaftueshme.

Gjithsesi, për ta festuar Ditën e Bajramit, kryefamiljari, Sabri Haliti tregon që i kanë ndihmuar të afërmit.

“Normal e kemi festuar, si të gjithë të tjerët, jo realisht si të tjerët, haj haj, po mirë është nuk është keq se me u ankuar nuk bon se mu kanë bo me vitra e sadaka, mu kanë bo do. Çka kom pas mundësi e kam festuar, me familje”, ka thënë Sabri Haliti – Kryefamiljar.

Haliti është edhe në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të një aksidenti trafiku.

Të punoj e t’i siguroj barnat e ka mjaftë problem.

“Unë për vete mos me kanë doktoresha Samire, unë nuk e di si ja kisha dal. Me 100 euro pension, nuk mundem, nuk me ja arrit. Me ato 100 euro a me marr barna a me pagu rrymë, a me pagua ujë”, ka shtuar Sabri Haliti – Kryefamiljar.

Familja Haliti e shumë familje tjera jetojnë në banesat sociale që janë në Komunën e Prishtinës dhe menaxhohen e mirëmbahen nga Ndërmarrja Publike Banesore.

Në Kosovë, sipas Agjencisë së Statistikave pjesë e skemës sociale janë rreth 23 mijë persona.

Kurse, sipas raportit të fundit të pulsit publik të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, tri problemet kryesore për kosovarët janë: papunësia, varfëria dhe rritja e çmimeve të produkteve esenciale.