Si do të nxirret qymyri i KEK-ut për ESM-në? Detaje nga marëveshja me Maqedoninë e Veriut
Marrëveshja ndërmjet Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe kompanisë shtetërore të Maqedonisë së Veriut, JSC Power Plants of North Macedonia (AD ESM), nuk përcakton vetëm shitjen e qymyrit, por edhe mënyrën se si ai do të nxirret, përpunohet, peshohet dhe transportohet. Dokumentin e plotë të marrëveshjes, të nënshkruar më 14 gusht 2026, e ka siguruar […]
Marrëveshja ndërmjet Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe kompanisë shtetërore të Maqedonisë së Veriut, JSC Power Plants of North Macedonia (AD ESM), nuk përcakton vetëm shitjen e qymyrit, por edhe mënyrën se si ai do të nxirret, përpunohet, peshohet dhe transportohet.
Dokumentin e plotë të marrëveshjes, të nënshkruar më 14 gusht 2026, e ka siguruar të plotë ekskluzivisht TV Dukagjini.
Sipas kontratës, qymyri gjendet në minierën sipërfaqësore të Divizionit të Prodhimit të Qymyrit në Obiliq, ndërsa zona e magazinimit/depos së përcaktuar ndodhet në afërsi të mirëmbajtjes së dispeçerit në Bardh.
ESM-ja do të ketë qasje në pikën e ngarkimit 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, por me kusht që të respektojë çdo kufizim të arsyeshëm të vendosur nga KEK-u dhe të mos ndërhyjë në operacionet e kompanisë.
“Blerësi do të ketë akses në Pikën e Ngarkimit në përputhje me orarin e mëposhtëm, në varësi të çdo kufizimi të vendosur në mënyrë të arsyeshme nga Shitësi (me të cilin Blerësi duhet të pajtohet):
(a) Blerësi do të ketë akses 24 orë në ditë/7 ditë në javë; Blerësi nuk do të ndërhyjë, në asnjë mënyrë ose në asnjë kohë, ose të pengojë operacionet e Shitësit.
Blerësi është i vetëdijshëm për rreziqet e marra përsipër për llogari të vet dhe
pranon se: (a) Pika e Ngarkimit dhe zona përreth saj është/janë të rrezikshme dhe përmban pajisje, makineri, ndërtesa, dhe struktura që mund të jenë të pasigurta, strukturalisht të paqëndrueshme, ose të mirëmbajtura në mënyrë të papërshtatshme; dhe
(b) Në Pikën e Ngarkimit, procedurat ose standardet e sigurisë mund të jenë të pamjaftueshme, inekzistente ose jo në përputhje me rregullat.”, thuhet në marrëveshje.
ESM-ja mund të angazhojë kompani private
Sipas marrëveshjes, vetëm ESM-ja ose kompanitë e përzgjedhura dhe të autorizuara prej saj mund të kryejnë nxjerrjen dhe transportin e qymyrit.
Blerësi duhet të sigurojë pajisjet e nevojshme për eksploatim, përpunim, grumbullim, ngarkim dhe transport.
Nëse ESM-ja angazhon kompani të tjera, ajo mban përgjegjësi për përzgjedhjen dhe veprimet e tyre. KEK-u nuk krijon marrëdhënie kontraktuale me këta operatorë dhe nuk mban përgjegjësi ndaj tyre apo ndaj palëve të treta për aktivitetet e tyre.
Megjithatë, KEK-u do t’i njohë të drejtat e operatorëve të autorizuar zyrtarisht nga ESM-ja.
“Blerësi mban përgjegjësi për përzgjedhjen, angazhimin, duke përfshirë çdo veprim, mosveprim, detyrim kontraktual ose përgjegjësi ligjore që mund të lindë nga angazhimi i një Kompanie sh.a. Termocentralet e Maqedonisë së Veriut (AD ESM) KEK sh.a.
Procedura e Shitjes Nr. KEK-26-15-1-6-12; Titulli: Shitja e qymyrit sh.A. Termocentralet e Maqedonisë së Veriut (AD ESM) e autorizuar nga Blerësi për nxjerrjen, përpunimin, ngarkimin/shkarkimin dhe transportin e qymyrit. Shitësi nuk do të ketë asnjë marrëdhënie kontraktuale me kontraktorët e angazhuar nga Blerësi dhe nuk do të mbajë asnjë detyrim ose përgjegjësi, qoftë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, ndaj këtyre kompanive ose palëve të treta në lidhje me aktivitetet e tyre. Shitësi e njeh Blerësin si palën e vetme kontraktuese. Megjithatë, Shitësi do të respektojë plotësisht të drejtat e çdo kontraktori të autorizuar siç duhet nga Blerësi përmes një prokure zyrtare ose autorizimi”.
Përgjegjësitë për ujërat dhe materialet e tjera
Nga momenti i fillimit të eksploatimit, ESM-ja merr përgjegjësinë për largimin dhe menaxhimin e materialeve që nuk janë qymyr dhe që hasen gjatë nxjerrjes.
Po ashtu, përgjegjësia për largimin dhe menaxhimin e ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore i kalon blerësit nga momenti kur fillon eksploatimi.
KEK-u, nga ana tjetër, merr përsipër largimin e materialit mbulues mbi qymyr, si dhe largimin fillestar të ujërave sipërfaqësore kur kjo është e nevojshme.
KEK-u gjithashtu duhet të kryejë studimin e ujërave sipërfaqësore dhe, nëse është e nevojshme, t’i dorëzojë blerësit një studim të rishikuar për drenazhimin e ujërave së paku tre muaj para fillimit të nxjerrjes.
“Gjatë procesit të nxjerrjes së qymyrit, Blerësi do të jetë përgjegjës për heqjen e çdo materiali të mbetur (jo qymyr) që haset. Për më tepër, që nga momenti që Blerësi fillon nxjerrjen e qymyrit, përgjegjësia për heqjen dhe menaxhimin e ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore i kalon tërësisht Blerësit”, thuhet në kontratë.

Mirëmbajtja e rrugëve i mbetet blerësit
Sipas dokumentit, ESM-ja duhet të sigurojë që ngarkimi dhe transporti i qymyrit të mos pengojë proceset operative të KEK-ut.
Blerësi duhet të veprojë sipas standardeve ndërkombëtare të operimit, të shmangë problemet mjedisore dhe të kryejë mirëmbajtjen e rrugëve brenda dhe jashtë hapësirave të KEK-ut.
Pas fillimit të punimeve, mirëmbajtja e rrugës nga frontet e qymyrit në fushën minerare deri te depoja përfshin edhe shtrimin me zhavorr dhe kontrollin e pluhurit përmes spërkatjes.
Blerësi është përgjegjës edhe për pastrimin e zonës dhe të derdhjeve eventuale që mund të shkaktohen gjatë ngarkimit dhe transportit.
Qymyri në rrezik të blerësit pas ngarkimit
ESM-ja është përgjegjëse për marrjen, ngarkimin dhe transportin e qymyrit dhe këto procese i kryen me shpenzimet dhe rrezikun e saj.
Sipas marrëveshjes, rreziku për qymyrin kalon te blerësi nga momenti i ngarkimit.
Për çdo marrje të qymyrit, ESM-ja duhet t’i dërgojë KEK-ut një kërkesë me shkrim të paktën 48 orë para ngarkimit. Në të duhet të specifikohen sasia e parashikuar, koha e ngarkimit dhe automjetet që do të përdoren.
KEK-u mund ta refuzojë ose ta shtyjë autorizimin nëse marrja e qymyrit do të ndërhynte në operacionet e kompanisë ose për arsye të tjera të jashtëzakonshme.
Peshimi përcakton sasinë për faturim
Peshimi i qymyrit do të bëhet përmes peshoreve të KEK-ut dhe rezultatet e tyre do të jenë baza zyrtare për faturim.
Peshoret doganore do të përdoren vetëm për verifikim, krahasim dhe harmonizim të të dhënave.
Krahas peshimit, KEK-u do të kryejë edhe matje gjeodezike në zonat e përcaktuara të eksploatimit.
Peshimi duhet të bëhet në praninë e përfaqësuesit të KEK-ut ose një personi të autorizuar prej tij. Pas këtij procesi, ESM-ja duhet të dorëzojë dokumentin e marrjes së qymyrit, ku shënohen sasia, koha dhe data e peshimit, përfaqësuesit e palëve dhe automjetet e përdorura.
Parametrat e cilësisë
Marrëveshja përcakton se qymyri duhet të ketë vlerë kalorifike jo më të ulët se 7,531 kJ/kg, sulfur nën 1 për qind dhe hi nën 20 për qind.
Për kontrollin e cilësisë parashihet një laborator statik ose mobil pranë zonës së eksploatimit.
Nëse niveli i sulfurit kalon kufirin për shkak të karakteristikave natyrore të vendburimit ose faktorëve jashtë kontrollit të arsyeshëm të KEK-ut, kontrata e përjashton KEK-un nga përgjegjësia juridike për këtë devijim.
“Rezultatet e testimit të laboratorit do të përcaktojnë cilësinë e qymyrit, e cila ETU nuk do të jetë më pak se 7531 kJ/kg dhe përmbajtja e squfurit nuk do të kalojë 1%, që do të thotë se niveli i squfurit duhet të mbetet nën 1% (<1%) dhe hiri <20%.
Në rast se përmbajtja e squfurit gjendet e barabartë ose më e lartë se 1%, dhe kjo është pasojë e karakteristikave natyrore të depozitës së qymyrit ose faktorëve përtej kontrollit të arsyeshëm të Shitësit, Shitësi nuk do të mbahet ligjërisht përgjegjës për këtë devijim”.















