Si e kuptoi bota masakrën e familjes Jashari përmes fotografive?
Vranë e masakruan 58 anëtarë të familjes Jashari, por prapë nuk i lëshuan pozicionet. Disa në kodrinat përreth Prekazit, e të tjerë në bunkerin e rezistencës, shtëpinë e dytë të Adem Jasharit. 8-9 e marsi i vitit 98-s kaluan në heshtje, për t’i paraprirë ditës që bota do ta njihte fytyrën e vërtetë të Serbisë, […]





Vranë e masakruan 58 anëtarë të familjes Jashari, por prapë nuk i lëshuan pozicionet.
Disa në kodrinat përreth Prekazit, e të tjerë në bunkerin e rezistencës, shtëpinë e dytë të Adem Jasharit. 8-9 e marsi i vitit 98-s kaluan në heshtje, për t’i paraprirë ditës që bota do ta njihte fytyrën e vërtetë të Serbisë, e Kosova trimërinë e familjes Jashari.
Më 10 mars një delegacion nga Prishtinë, kryesisht nga veprimtarë të LDK-së ishte nisë drejt Prekazit. Bashkë me ta, Kullës së Jasharajve ia kishte mësyer edhe njeriu që i dokumentoi botës krimet që po i kryente Millosheviqi.
“Ideja ime ishte qysh me i dërgu këto ngjarje me i fiksu edhe me e pa bota se çka po bohet, se unë nuk e dijsha apo vjen dikush me bo fotografime apo incizime. Unë e kryva punën po qysh me e përcjellë për Prishtinë edhe në atë moment e kam pa Nekibe Kelmendin edhe kam vrapu te ajo. Edhe i kam thanë qitu janë filmat qita janë bardhë e zi, qita me ngjyra, të lutem i dërgon te Foto-Nesha dhe në Rilindje”, ka deklaruar Ilaz Bylykbashi, Fotoreporter i luftës.
Materiale që dëshmonte për masakrën u dërguar për në Prishtinë, pa rënë në sy.
“Kur kanë zhvilluar filmat në Rilindje ato kanë qenë bardhë e zi, laborantit i ka ra të fikët aty ka pasur gazetarë të huaj. Kjo është bo shumë e madhe”, ka shtuar Ilaz Bylykbashi, Fotoreporter i luftës.
Mediat ndërkombëtare mësuan për masakrën por me shtete fqinje Serbia mbante kufijtë e hekurt. Sidomos me Shqipërinë, vend ku atë kohë vepronte Shkelzen Hadri.
“I shumëzova në 50 albume të cilat i shpërndamë me miqtë e mi nëpër ambasadat e huaja që ishin në Tiranë. Të gjithë kanë pasur dëshirë me i pa dhe i pranuan. Ato fotografi i pranuan ndërsa nga shkuan dhe ku u shpërndanë nuk mund ta dijmë”, ka theksuar Shkelzen Hadri.
Hadri tregon se fotografi të masakrës së familjes Jashari janë ekspozuar edhe krah viktimave të holokaustit.
“Fotografitë i shumëzova tek Studio “Sporti në Tiranë, ku punonte Refik Veseli. Ai ka qenë kryetar i shoqatës hebrejo-shqiptare, dhe kishte një ekspozitë për holokaustin. E luta me i marrë dy kopje edhe me shpërnda nëpër tavolina të cilën gjë e ka bërë”, ka shtuar Shkelzen Hadri.
Rreth një vit pas ngjarjes që po rrëfen Hadri, Bylykbashi e braktisi punën si autori i mbi 200 fotografive në Prekaz, e mijërave anë e kënd Kosovës.
“Krejt puna aty përfundon e imja aty se unë prej qershorit 99 nuk e kam shkrep asnjë fotografi”, ka përfunduar, Ilaz Bylykbashi, Fotoreporter i luftës.















