Serbia është si një ashensor të cilit i është këputur kablli, dhe të gjithë shikojnë nga një i çmendur që i bind se po fluturojnë, e jo se po bien. Tiran i çmendur Aleksandar Vuçiq, në muzg të diktaturës së tij, kur shfaq atë buzëqeshjen e tij cinike duke treguar se “e ka mundur revolucionin e ngjyrave të studentëve”, ta dini se kjo është buzëqeshja e një idioti të tërbuar e të marrë, që është i gatshëm për gjithçka, dhe për të cilin sundimi i ligjit është shkopi i bejsbollit dhe falangat e rrugës. Militantë të veshur me uniforma policie.

Sado që ai mburret e bind “botën serbe pa tru” se askush nuk e tremb “Miloš Obiliqin serb”, ta dini se Vuçiqut i janë mbushur brekët nga studentët dhe populli i ngritur. Ai nuk është kurrfarë heroi; në fakt, është një frikacak ordiner. Sepse po të ishte trim, do të shpallte zgjedhje, nuk do të mohonte se ka nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit dhe nuk do të fshihej pas Iviça Daçiqit të rremë e të shantazhuar.

Siç pretendojnë se “janë mashtruar” dhe për këtë Kurti u bë alfa dhe omega që çliroi Veriun e Kosovës, ku sundonte Milan Radoiçiçi me bandën e tij dhe Listën Serbe. Po të kishte guxim ky “hero serb”, nuk do të fshihej pas Kushtetutës së Serbisë ku ende qëndron ajo preambulë absurde se Kosova është pjesë përbërëse e Republikës së Serbisë. Përkundrazi, do ta ndryshonte atë nen, sepse asnjë Kushtetutë nuk merret me territore.

Ky strateg kombëtar i vjetruar, që në çadra pi birra dhe këndon këngë “kush mund të ma marrë nga zemra Kosovën”, dhe që në xhep mban gjithmonë hartën e “botës serbe”, e bën këtë për tufën e tij të predatorëve dhe bën sikur mbron sovranitetin shtetëror dhe identitetin kombëtar. Jam i bindur se shpejt do t’i vijë fundi kësaj farse. Sepse vetë Vuçiq do të ulet në atë karrige përballë presidentit amerikan Trump dhe do të njohë pavarësinë e Kosovës.

Dhe ky do të jetë fundi i impulseve vetëshkatërruese dhe vetëvrasëse të regjimit të një të sëmuri, i cili, fjalë për fjalë, është i gatshëm ta shkatërrojë vendin e tij vetëm që të zgjasë qëndrimin në pushtet. Prandaj ai manipulon me kryengritjen popullore dhe i mashtron ndjekësit e tij me fitoren e rreme të “revolucionit të ngjyrave”.

Kundër kujt fitove, Viçiq?

Albin Kurtin, që të bëri mat? Malin e Zi, ndaj të cilit po përgatit një pushtim? Jo me tanke, ato kohë kanë kaluar, por me priftërinj, me litija dhe, natyrisht, me “serbin” tënd, Andrija Mandiqin.

Ashtu siç veprove edhe me Milorad Dodikun tënd – duke minuar sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës, derisa Mile, për t’i shpëtuar burgut, u mor vesh me organet gjyqësore atje që do të respektonte integritetin e Bosnjë-Hercegovinës.

Dua të të pyes: a ke ti fare ndonjë mik këndej pari? A të ka hapur ndonjëri nga liderët e rajonit tonë derën?

Ti lavdërohesh edhe se Serbia është një tigër ekonomik. Se çdo pisllëk i yti është triumf. Fitore janë për ty rafalet, helikopterët, topat e blerë, e pastaj brenda disa orësh një zjarr shkatërron disa fshatra, o tigër ekonomik. Sepse nuk ka ujë dhe ekipe zjarrfikëse. Fitore për ty është edhe kur ndonjë e dashur e jotja blen tre prona, dhe ai që e quajnë “bizon” blen tre banesa.

Fitore për ty është kur në vend të sekretares shtetërore të MPB-së, Dijana Hrkaloviq – që bashkëpunonte me Velja Nevoljën, i cili bluante mish njerëzor në makineri – e zëvendëson me Tanja Drobnjakun, e cila njihet për torturimin e studenteve. Fitore për ty është kur 200 mijë studentë e profesorë kërkojnë çlirimin e sistemit shoqëror dhe institucioneve që ti ke uzurpuar, ndërsa ti i quan terroristë dhe mercenarë të huaj. Fitore është edhe kur thua, si para 30 vjetësh: “vrisni një serb, ne do të vrasim 100 myslimanë”. Dhe kur thua për studentët, që atëherë as nuk kishin lindur, se duan ta shpallin popullin serb gjenocidal.

Dhe në fund, të kujtojmë se në muajin korrik, para disa vitesh, Qeveria e Serbisë konfirmoi ekzistencën e varrezave masive me trupat e shqiptarëve të Kosovës, në Batajnicë, Petrovo Selo, liqenin Perućac dhe guroret në fshatin Rudnicë. Në këto varreza u gjetën 900 trupa shqiptarësh. Dhe opinioni publik në Serbi, gati dy dekada e gjysmë më vonë, ende nuk është i informuar mjaftueshëm për këto krime monstruoze, sepse për mediat e tua kjo është temë e ndaluar.

A është edhe ky krim monstruoz një nga fitoret e tua, zoti President?

A ke shkuar ndonjëherë, zoti President, të përulesh para shpirtrave të tyre ose të kërkosh falje nga familjet shqiptare dhe shteti i Kosovës?

Këto janë ato fitoret e tua të zeza, të rënies njerëzore dhe buzëqeshjes fatale. Dymbëdhjetë vite pushteti kriminal dhe terrori i një idioti që mendon se është gjeni. Një kult që, për fat të keq, ende jeton tek një pjesë e popullit serb, që në mënyrë servile nuk kanë asgjë kundër pushtetit, edhe pse janë kundër tij… ose janë shitur për një kovatë dhjami.

Prandaj të gjitha këto lëvizje të dëshpëruara të Aleksandar Vuçiqit, humbjet që ai i kthen në fitore të gjithçkaje dhe të asgjëje, janë pasojë e trazirës dhe frikës nga dështimet elektorale. Dhe për këtë situatë, për shkak të vazhdimit të protestave studentore dhe vullnetit të madh për ndryshime mes qytetarëve, diktatori serb e sheh gjithçka si luftë. Po çmend këtë popull deri në rraskapitje. Vetëm turrat e druve u mungojnë për studentet “shtriga” dhe studentët “magjistarë”.

Sepse këtë e bëjnë bishat që ndiejnë më së miri kur janë të rrezikuara. Dhe e dinë që u ka ardhur fundi.