Ramadan Nishori, i mbijetuar i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka ndarë rrëfimin e tij, duke përshkruar përjetimet e pasluftës që e kanë ndjekur për gati dy dekada, pa i thënë një fjalë askujt.
Në një intervistë në ciklin e emisioneve “Heshtja që vret – Klithma e vërtetë e luftës” në Debat Plus, ai ka rrëfyer betejën e tij me traumën, heshtjen dhe izolimin që ka përjetuar si viktimë e dhunës seksuale.
Pas lirimit nga burgu më 16 mars 2001, Nishori u përpoq të ndërtonte një jetë normale.
Ndonëse u largua fizikisht nga vendlindja dhe përpiqej të niste një jetë të re, ai nuk arrinte të ikte nga ankthi i brendshëm që e përndiqte çdo natë, për gati 2 dekada.
“Qysh thash me 16 mars (2001) kur jam liruar prej burgut, pas 2 jave më 16 prill jam martuar. Mas një viti, më lindi vazja, unë e di qysh e kam kaluar atë kohë. Se beso familjaret kur bisedofshin mes veti, mu doke mu që po e din rastin cka ka ndodh. Cdo sen, edhe në rrugë njerëzit kur ecshin, kur bisedojnë mu doke që po folin për mua. Kështu që pas një viti vendosa me gjithë bashkëshorten me me dal em jetu me qira. U shpërngulëm në Fushë Kosovë. Edhe për atë falënderoj familjen, se kurrë nuk kam mund me konë prind i mirë për ta. As bashkëshort i mirë për bashkëshorten tem. U vendosëm, e kam pak me leht pasi jam larg familjes, por prapë brenda më brente. Mas disave, boll u mundohesha me punu, po badihava. Kështu vendosa me shku në Mal të Zi, thoja e kam pak më lehtë, nuk kam kontakt me njerëz të njofshëm edhe e kam më lehtë. Me familje shkova. Ajo gjuha e tyre sikur ( e serbëve) dhe vendosa të kthehem në Kosovë prapë. U kanë viti 2004-5, atëherë thosha me shku në këtë organizatën e QKMRT-së, te Feridja. Beso nja 10 herë jaë shku të dera, po s’mujsha me vishin 100 lloj mendime në kry. I ki lloj mendime. Për neve ma e shtira është nata. Nata është qaq e zorshme, sikur të vjen një farë ngulfatje…”, ka thënë Nishori.
Vetëm në vitet 2017–2018 ai e mori guximin të fliste. Ky hap i rëndësishëm erdhi pasi pa një intervistë të Vasfije Krasniqit.
Ramadani falënderon QKRMT-në për mbështetjen dhe respektin me të cilin u prit.
“Dhe një ditë, viti 2017-18, deri atëherë nuk e ka ditur askush. Dhe një natë, e shoh Vafsije Krasnqiin, e cila është një heroin e gjallë. Jam falënderues tërë jetën. E pash intervistën, dhe i marrsha lakmi, thosha lumja kjo po shfryhet. Ish rëndë që e pasha duke kajt, ama thosha po shfryhet. Dhe aty e kam kontaktuar, e kam gjetur në Facebook. Dhe i kam treguar (Vasfijes) edhe unë jam kështu, më ka ndodhur edhe mua. Më ka kontaktuar. Dilsha natën vetëm folsha në telefon me Vasfijen. Dhe po i them që s’disa herë jam duke shkruar, po s’po jam i sigurt. Ajo po më thotë lirisht shko, se çka folet aty, mbetet aty. Të nesrit jam shkruar aty, më kanë prit që si udhëheqës shumë i balt. Jam shumë falënderues për ta. Më kanë prit me shumë respekt të madh”, ka thënë Nishori.