Si ishte pesë marsi i viti 1998 në Prekaz?

5, 6 dhe 7 marsi shënon një prej ngjarjeve që frymëzoi gjithë luftën për liri të popullit të Kosovës. 55 njerëz, 22 prej të cilëve familjarë të ngushtë të komandantit legjendar Adem Jashari, mbetën të vrarë mes këtyre datave. RTV Dukagjini sjellë rrëfimin për këtë masakër

Është tetë marsi i vitit 1998. Këto janë pamjet e para të Prekazit, pas sulmeve të parreshtura tri ditore të forcave policore e ushtarake serbe, ndaj familjes heroike Jashari.

55 njerëz mbetë të vrarë këtu, 22 prej të cilëve, familjarë të ngushtë të komandantit legjendar Adem Jashari, i cili prej kohësh ishte bërë cak i ushtrisë së Serbisë.

Përballjen e ashpër dhe heroike me forcat serbe, familja Jashari e nisi qysh në fund të dhjetorit të vitit 1991, kur ndaj tyre u krye sulmi i parë.

Mes viteve 1991 – 1998, fabrika e municionit në Prekaz, ishte kthyer në vendqëndrim për ushtrinë e policinë e Serbisë, të cilat synim kishin vrasjen e komandantit Adem Jashari, duke synuar kështu shuarjen e organizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në fabrikën e municionit, kishte punuar edhe vet Hamëz Jashari.

Haxhi Qerimi është një nga ish-kolegët e Hamzës, i cili rrëfen për sulmin e dytë ndaj familjes Jashari, atë të 22 dhjetorit 1998.

“Ka qëllu edhe kohë e ramazanit. Atë natë, Ademi aty nuk ka qëllu, mirëpo kanë qëllu Hamza me bacën Shaban dhe të tjerët… Hamza më tha më kanë thirrë, se e kanë pas në atë kohë telefonin fiks. Më kanë thirrë tha prej Dukagjinit, prej Podujevës, për me ardhë me më ndihmu, tha ju kam thanë nëse doni me më ndihmu mua dhe krejt Kosovës, ai i Podujevës le t’ja kërset në Podujevë, i Pejës në Pejë, tha se qishtu ua fusim frikën në asht, se këta veç këta uniforma tha i kanë veshë, se njerëz më të ligë tha nuk ka se këta”, ka deklaruar Haxhi Qerimi – Përfaqësues i fabrikës së municionit.

Haxhi Qerimi e kishte motrën e tij të martuar në familjen Jashari.

Shoku i Hamzës rrëfen se motra e tij, bashkë me fëmijët dhe vjehrrinë e saj, ishin larguar nga shtëpia në Prekaz më 5 mars, pak orë pasi serbët nisin sulmin vrastar ndaj tyre.

E strehuar në një fshat në afërsi, ajo kishte provuar që të kthehej në shtëpi më 8 mars.

Mirëpo, gjatë kthimit ata hasin në forcat serbe dhe aty njëri nga nipërit e Qermit, përjeton një ngjarje të rëndë.

“Kur dojnë me u kthy, e shohin krejt lagjen të rrethuar dhe forcat serbe i thonë ku po don me shku? Ju tregojnë kush janë. I thonë motrës ju pritni këtu, Maliq Jasharin (vjehërrin) e marrin e bijnë në fabrikë të municionit, motrës i thonë ti prit me këta fëmijë këtu, Albert Jasharin e marrin, Alberti i ka pas atëherë 15 vjet, edhe e marrin e i thonë hajde me na tregu kush është ky. Kjo thotë është gjyshjam Hamide e ka pas emrin, kush është qiky pak ma poshtë, kur e qojnë tek baba i vet, i thonë ky kush është, ky thotë ai është babushi. Edhe don djalit me i ra t’ligë, tha e kish pas automatin aty te koka dhe kish qenë i shtrirë. Kur e shohin që don me i ra t’ligë, dikush shqip i thotë mani bre mos e mundoni këtë fëmijë se boll keni bërë zi”, ka rrëfyer Haxhi Qerimi – Përfaqësues i fabrikës së municionit.

Gjithë këto përjetime të familjes Jashari, për më shumë se dy dekada, nën emocione i ka rrëfyer ciceroni Xhevat Imeri.

“Një nga arsyet ka qenë sepse me vendosjen e tyre në fabrikë, ata kanë qenë shumë afër familjes Jashari, në vijë ajrore ndoshta as 500 metra larg. Ka qenë qëllimi që të jenë afër tyre, të shohin lëvizjet e tyre, sepse këta si familje 24 orë kanë qenë të monitoruar nga ajo pikë, sepsë është edhe rezervari ku kanë qenë kamerat, por pas një kohe aty janë vendosë edhe snajperistat serbë dhe ka pasur raste të caktuara ku nga ajo pikë janë goditur edhe me snajperka”, ka theksuar Xhevat Imeri – Ciceron i kompleksit memorial “Adem Jashari”.

Rënia e familjes Jashari, do të shënonte një pikë kthese për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, organizim që do të forcohej edhe më shumë, nën frymëzimin e heroizmit të familjes së komandantit legjendar, Adem Jashari.

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika