Si ndodhi vrasja në “Bon Vivant”? (PAMJE)

Kamerat e sigurisë tregojnë nisjen e rrahjes nga të përfshirurit në rast, rrahje kjo e cila nis me goditje me shishe prej qelqi për të vazhduar më vonë me të shtëna armësh. Nga këto të fundit humbi jetën një person dhe u plagosën 17 të tjerë

Dukagjini sjell momente nga nisja e përleshjes e cila çoi deri tek përplasja me armë zjarri në kafiterinë “Bon Vivant” në Prishtinë.

Në pamjet e siguruara, shihet momenti kur kamerat e sigurisë tregojnë nisjen e rrahjes nga të përfshirurit në rast, rrahje kjo e cila nis me goditje me shishe prej qelqi.

Situata vazhdon të tensionohet duke arritur edhe në të shtëna armësh.

Nga këto të fundit, një 39-vjeçar humbi jetën gjersa 17 të tjerë pësuan lëndime.

Rasti është cilësuar si  “Vrasje e rëndë në tentativë dhe pjesëmarrje në rrahje”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë doli me detaje të tjera rreth incidentit.

Sipas prokurorisë, nga të shtënat me armë zjarri janë plagosur shtatë persona, njëri prej të cilëve ka vdekur në QKUK. Ndërsa, 13 persona të tjerë kanë pësuar lëndime nga gërvishjet e xhamave appo gjësendve tjera.

“Më datën 04.08.2023 në orët e mbrëmjes, prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë është njoftuar nga ana e Policisë së Kosovës, që në rrugën ‘Rexhep Luci’ në Prishtinë respektivisht në lokalin ‘Bon Vivant’, ka të shtëna me armë zjarri. Me të marrë informacionin, prokurori i shtetit bashkë me njësitet relevante të Policisë së Kosovës, ka konstatuar se si pasojë e të shtënave ka persona të plagosur. Është konstatuar se nga arma e zjarrit kanë rezultuar të plagosur 7 persona, ku njëri nga ta si pasojë nga plagët e marra ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës. Ndërsa 13 persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore nga gërvishtjet e xhamave apo nga gjësendet tjera. Të gjithë kanë kërkuar ndihmë mjekësore”, thuhet në njoftim.

Tutje, nga Prokuroria kanë theksuar se të gjithë të dyshuarit në këtë rast kanë të kaluar kriminale.

“Prokurori, rastin në fjalë e ka cilësuar ‘Vrasje të rëndë’ neni 173, ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ neni 366 dhe ‘Pjesëmarrje në rrahje’ neni 187 i Kodit Penal të Kosovës. Ajo që është më rëndësi të ceket se një person gjendet në arrati, ndërsa është konstatuar se gjithë të dyshuarit kanë të kaluar kriminale”, thuhet më tej në njoftim.

Tre të dyshuarve të arrestuar u është caktuar nga një muaj paraburgim.

Lajmin për Dukagjinin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Ndryshe, njëri nga të dyshuarit për përfshirje në incidentin në kafiterinë e Prishtinës “Bon Vivant” mbrëmjen e së premtes mësohet të jetë i kërkuar edhe nga FBI-ja.

I njohur me pseudonimin “Duka”, Dukagjin Nikollaj kërkohet edhe nga FBI-ja për trafikim narkotikësh.

Bazuar në fletëkërkimin e FBI-së, bëhet e ditur se 40-vjeçari ishte i përfshirë në trafikim të marihuanës në periudhën e viteve 2003-2007.

Lidhur me rastin, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se palët e konfliktit në kafiterinë “Bon Vivant”  kishin dhjetra vepra penale e, megjithatë, të njëjtit ishin në liri. Ai vlerësoi se drejtësia ka dështuar.

“Edhe sot humbëm një jetë nga dora e kriminelëve të cilët, për arsye të dështimeve të drejtësisë, kanë qenë të lirë. Në qendër të kryeqytetit, shtetasit tanë janë të rrezikuar për shkak të kriminelëve që nuk po ndëshkohen nga drejtësia. Ata duke u ndjerë të plotfuqishëm përballë ligjit nuk hezitojnë që hesapet e tyre kriminale t’i zgjidhin me armë e atë në lokale publike në prezencë dhe duke rrezikuar dhjetra të rinj të tjerë. Palët e përfshira në konflikt kanë me dhjetra vepra të mëhershme penale. Kur lëngon drejtësia, situatat e ngjashme janë të pashmangshme!, ka shkruar Sveçla.

Ai ka deklaruar se Policia e Kosovës duhet të rrisë kapacitetet e saj, gjersa anash nuk ka lënë as Prokurorinë e gjykatësit.

Ky incident nisi edhe takimet lidhur me krijimin e Policisë së Kryeqytetit për çka kishte njoftuar edhe Kryetari, Përparim Rama.

Një takim urgjent për krijimin e Policisë së Kryeqytetit pas incidentit në “Bon Vivant” është mbajtur në mes të kryetarit të komunës së Prishtinës, Përparim Rama, drejtorit për siguri dhe emergjenca, Lulzim Fushtica dhe drejtorit të Policisë për rajonin e Prishtinës, nënkolonel Basri Shabani.

Këtë e ka bërë të ditur vetë kryetari Rama përmes një postimi në Facebook. Ai ka deklaruar se krijimi i Policisë së Kryeqytetit mbetet një hap “urgjentisht i nevojshëm”.

“Pas ngjarjes së mbrëmshme e cila na shqetësoi të gjithëve, bashkë me drejtorin për siguri dhe emergjenca, Lulzim Fushtica mbajtëm një takim urgjent me drejtorin e policisë për rajonin e Prishtinës, nënkolonel Basri Shabani, me të cilin diskutuam për çështjen e sigurisë në #kryeqytet dhe hapat të cilët duhet të ndërmarrim bashkërisht për krijimin e policisë së kryeqytetit e cila është urgjentisht e nevojshme dhe do të na ndihmonte në rritjen e nivelit të sigurisë në Prishtinë”, ka shkruar Rama.

Kujtojmë se ky rast nuk ishte i vetmi i kësaj natyre.

Një tjetër person ishte vrarë në tetor të vitit 2014.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika