Si po konsiderohet takimi Biden – Meloni ku u diskutua për shtensionimin e situatës në veri

Deklaratën e përbashkët të presidentit amerikan, Joe Biden dhe kryeministres së Italisë, Georgia Meloni, për Ballkanin Perëndimor diplomatët dhe njohësit e çështjeve politike në vend po e vlerësojnë si angazhim të ShBA-së dhe Italisë për siguri, stabilitet dhe progres në rajon

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden (djathtas), duke biseduar me kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, në Shtëpinë e Bardhë, në Washington, më 27 korrik 2023.

Deklarata e përbashkët e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe kryeministres së Italisë për sigurimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor tregon angazhimin e Amerikës dhe Italisë për siguri, stabilitet dhe progres në Ballkanin Perëndimor, si dhe mbështetjen e tyre për integrimin euroatlantik të rajonit.

Kështu vlerësojnë ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Besnik Hoti dhe profesori Seb Bytyçi.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Joe Biden dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, diskutuan, ndër tjerash, për situatën në Ballkanin Perëndimor gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë më 27 korrik.

Sipas deklaratës së përbashkët të liderëve të ShBA-së dhe Italisë, të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, ndër pikat e diskutimit në takimin e tyre ishte sigurimi i stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, rajon ku bëjnë pjesë Kosova, Serbia, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje dhe Hercegovina.

“Shtetet e Bashkuara dhe Italia riafirmojnë angazhimin e tyre të përbashkët për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen e tyre të kahmotshme për integrimin euroatlantik të rajonit”, thuhet në deklaratën e publikuar.

Në këtë deklaratë gjithashtu thuhet se dy vendet do “të përforcojnë koordinimin për të favorizuar depërshkallëzimin”, mirëpo nuk specifikohet se për çfarë përshkallëzimi bëhet fjalë.

Në lidhje me këtë deklaratë, ish-diplomati Hoti në një përgjigje për Portalin Dukagjini ka thënë se kjo deklaratë duhet të lexohet drejt nga Qeveria e Kosovës dhe të nisin me zgjidhjen e sfidave komplekse.

Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Besnik Hoti

“Kjo deklaratë duhet të lexohet drejt nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të fillohet që sfida komplekse të zgjidhen. Po ashtu, kërkohet që Serbia të ketë qëndrim konstruktiv në dialog. Palët të angazhohen në përpjekje të përbashkëta për të adresuar këto sfida në procesin e dialogut”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, është mirë të ketë të tilla deklarata nga dy liderë, të cilët përmendin edhe rolin vendimtar të QUINT-it për promovimin e depërshkallëzimit në rajon.

“Është mirë të dëgjojmë se presidenti Biden dhe kryeministrja Meloni janë të shqetësuar për zhvillimet në veri të Kosovës dhe janë të vendosur të koordinohen për të promovuar depërshkallëzimin dhe pajtimin. Në deklaratë, përmendet gjithashtu roli vendimtar i QUINT-it, i cili përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia”, ka thënë Hoti.

Po ashtu, edhe profesori Bytyçi në një përgjigje për Portalin Dukagjini ka thënë se kjo deklaratë e përbashkët bën thirrje për më shumë koordinim, shtensionim dhe pajtim.

“Është deklaratë e përbashkët, që thërret për më shumë koordinim për shtensionim dhe pajtim. Është në linjë me kërkesat e mëhershme që të mos ketë tensionim të situatës, sidomos për shkak të luftës në Ukrainë”, ka thënë Bytyçi.

Profesori, Seb Bytyçi

Sipas Bytyçit, me anë të kësaj deklarate, qeveria e re italiane ka shprehur interes për një rol më të fuqishëm në politikën e jashtme dhe mund të ketë ndikim për të kundërshtuar ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor.

“Kemi të bëjmë me njohje të rolit të Italisë në rajon, si dhe rolit të QUINT-it. Qeveria e re italiane ka shprehur interes për një rol më të fuqishëm në politikën e jashtme, dhe mund ta luajë një rol të madh në të ardhmen për ta kundërshtuar ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Bytyçi.

Ndryshe, situata në pjesën veriore të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – ka qenë e tensionuar që nga 26 maji i këtij viti, kur kryetarët e rinj shqiptarë të katër komunave – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut – hynë në objektet komunale.

Serbët lokalë kanë protestuar që nga 26 maji, ndërsa tensionet kishin kulmuar më 29 maj kur pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, ishin lënduar gjatë përleshjeve me protestuesit.

Në deklaratën e publikuar nga Shtëpia e Bardhë thuhet se ShBA-ja e “mirëpret angazhimin e qeverisë italiane në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë kontributin e forcave të armatosura italiane në misionet e KFOR-it, EULEX-it dhe EUFOR-it”.

Në mesin e ushtarëve të lënduar nga përleshjet e 29 majit ishin edhe 11 ushtarë italianë, si dhe 19 ushtarë hungarezë.

Zgjedhjet e parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës janë kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar për shtensionim të situatës në veri.

Më 11 korrik, Bashkimi Evropian ka konfirmuar se Kosova do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e planit për shtensionim të situatës.

Biden dhe kryeministrja e Italisë vlerësojnë shtensionimin e situatës në veri

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika