
Në Stockholm u zhvillua Technovation Smoke-Free 2026, një nga eventet më të rëndësishme ndërkombëtare të fokusuar tek inovacioni, alternativat pa tym dhe politikat e reduktimit të dëmit nga duhanpirja. Organizuar nga Philip Morris International, eventi mblodhi ekspertë të shëndetit publik, studiues, përfaqësues të industrisë dhe politikëbërës për të diskutuar mbi mënyrën se si teknologjia dhe shkenca po ndikojnë në transformimin e tregut global të nikotinës.

I mbajtur në ambientet e Fotografiska, muzeut të njohur të fotografisë dhe artit modern, eventi u ndërtua rreth idesë së një të ardhmeje ku cigaret tradicionale mund të konsiderohen produkte të së kaluarës. Në fund të konferencës, organizatorët prezantuan simbolikisht një ekspozim muzeal me cigare, si një mënyrë për të ilustruar vizionin e tyre për një të ardhme “pa tym”.
Suedia në qendër të diskutimeve
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve u fokusua tek ajo që pjesëmarrësit e quajtën “modeli suedez”. Suedia konsiderohet aktualisht vendi me normën më të ulët të duhanpirjes në Bashkimin Europian, me rreth 5.4% të popullsisë duhanpirëse, shumë pranë nivelit që Organizata Botërore e Shëndetësisë e konsideron si prag “smoke-free”.
Sipas panelistëve, ulja e normës së duhanpirjes në Suedi lidhet jo vetëm me masat tradicionale të kontrollit të duhanit, por edhe me përdorimin e alternativave pa tym si snus, produktet me ngrohje të duhanit dhe qeset e nikotinës. Diskutimet u përqendruan tek ideja se produktet duhet të rregullohen në bazë të nivelit relativ të riskut dhe se duhanpirësit adultë duhet të kenë akses tek alternativa që konsiderohen më pak të dëmshme krahasuar me cigaret tradicionale.

Teknologjia dhe shkenca si faktorë kyç
Gjatë konferencës u theksua vazhdimisht roli i kërkimit shkencor dhe inovacionit teknologjik në zhvillimin e produkteve pa tym. Sipas të dhënave të prezantuara në event, PMI ka investuar mbi 16 miliardë dollarë në zhvillimin e alternativave pa djegie që prej vitit 2008. Portofoli përfshin produkte me ngrohje të duhanit, cigare elektronike, produkte orale dhe qeska nikotine.
Në diskutime u rikthye shpesh koncepti se dëmi më i madh lidhet me procesin e djegies së duhanit dhe jo vetëm me nikotinën. Produktet pa djegie u prezantuan si alternativa që synojnë të reduktojnë ekspozimin ndaj substancave toksike që krijohen nga tymi i cigareve tradicionale.
Një tjetër temë e trajtuar ishte edhe mënyra se si perceptimet publike dhe skepticizmi ndikojnë në pranimin e inovacionit. Folësit argumentuan se shumë teknologji që sot konsiderohen të zakonshme janë përballur fillimisht me rezistencë dhe mosbesim, ndërsa theksuan se edhe debati mbi alternativat pa tym po kalon një fazë të ngjashme.

Debati mbi rregullimin dhe politikat publike
Një nga sesionet kryesore të eventit u fokusua tek politikat e reduktimit të dëmit dhe mënyra se si qeveritë po përpiqen të balancojnë mbrojtjen e shëndetit publik me realitetin e sjelljes së konsumatorëve. Panelistët argumentuan se ndalimet totale apo rregullimet tepër kufizuese mund të sjellin pasoja të tjera, si tregtia ilegale, produktet e falsifikuara apo vazhdimi i konsumit të cigareve tradicionale.
Në të njëjtën kohë, pjesëmarrësit theksuan se produktet me nikotinë nuk janë pa risk dhe nuk duhet të përdoren nga të rinjtë apo personat që nuk konsumojnë nikotinë. Për këtë arsye, gjatë eventit u diskutua nevoja për rregullim të fortë, kontrolle moshe dhe standarde të qarta për tregun.

Technovation 2026 e vendosi edhe një herë në qendër të debatit ndërkombëtar pyetjen se si do të duket e ardhmja e kontrollit të duhanit në dekadat e ardhshme. Përmes diskutimeve mbi shkencën, inovacionin dhe përvojën suedeze, eventi tregoi se debati global po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt qasjeve që fokusohen tek reduktimi i dëmit dhe transformimi i sjelljes së konsumatorëve adultë.


