Numri i votuesve nga Kosova të regjistruar në listën zgjedhore të Serbisë është rritur nga 94.161 në dhjetor 2023, në 115.856 para zgjedhjeve të 25 tetorit, raporton Radio Evropa e Lirë (REL).
Sipas hulumtimit të REL-it, në listë janë evidentuar qindra emra të përsëritur, mijëra të dhëna të paplota dhe gabime në emra e mbiemra. Megjithatë, autoritetet serbe nuk kanë dhënë shpjegime për rritjen e numrit të votuesve dhe parregullsitë e evidentuara.
Ognjen Rashuo nga Komisioni për Rishikimin e Listës Zgjedhore ka thënë se rritja nuk nënkupton domosdoshmërisht shtimin e numrit të personave që jetojnë në Kosovë, pasi ndryshimet mund të lidhen me mënyrën e regjistrimit të votuesve.
Ndërkohë, Zoran Saviq nga organizata “Aktiv” ka vlerësuar se mungojnë të dhënat e mjaftueshme për të shpjeguar luhatjet në listë. REL ka evidentuar edhe mospërputhje në terren, përfshirë mbi 1.800 votues të regjistruar në Klinë, ku sipas hulumtimit jetojnë rreth 120 pjesëtarë të komunitetit serb.
Edhe ODIHR-i ka shprehur shqetësime për saktësinë e listës zgjedhore, veçanërisht për numrin e madh të votuesve të regjistruar në disa komuna dhe adresa.
Votuesit nga Kosova votojnë në 60 qendra të vendosura në katër komuna të Serbisë: Tutin, Rashkë, Kurshumli dhe Vranjë.