“Sikur jetojmë në dy realitete të ndara”: Sektori civil serb kërkon që të dëgjohet nga Qeveria e Kosovës
Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe pezullimi i veprimeve që e pengojnë punën e institucioneve serbe në vend, janë kërkesa që sektori civil serb në Kosovë i dërgoi të enjten në adresë të Qeverisë së Kosovës. Kërkesat u bënë pasi Banka Qendrore e Kosovës – me një rregullore të posaçme, […]
Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe pezullimi i veprimeve që e pengojnë punën e institucioneve serbe në vend, janë kërkesa që sektori civil serb në Kosovë i dërgoi të enjten në adresë të Qeverisë së Kosovës.
Kërkesat u bënë pasi Banka Qendrore e Kosovës – me një rregullore të posaçme, por në përputhje me Kushtetutën e Kosovës – përcaktoi që euroja të jetë valuta e vetme për pagesa në Kosovë, duke hequr nga përdorimi dinarin serb, por edhe pas mbylljes së disa komunave në jug të Ibrit, që funksionojnë nën sistemin e Serbisë e që Kosova i konsideron të paligjshme.
Për serbët në Kosovë, heqja e dinarit është shqetësuese, sepse shumica e tyre marrin të ardhura të ndryshme nga Serbia në dinarë.
Pesë organizata joqeveritare serbe, si dhe Radioja lokale e Gorazhdecit nga rajoni i Pejës thanë në një konferencë në Prishtinë se autoritetet e Kosovës “shkelin në mënyrë flagrante lirinë e mediave dhe sulmojnë sektorin civil”.
Si shembull për këto pretendime, ata përmendën bastisjen e Policisë së Kosovës në ambientet e organizatës joqeveritare Qendra për Paqe dhe Tolerancë në Prishtinë, me arsyetimin se aty ofrohen “shërbime të paligjshme mjekësore”.

Redaktori i Radio Gorazhdecit, Darko Dimitrijeviq, shpalosi një sërë akuzash për sjelljen e Policisë së Kosovës gjatë operacionit për mbylljen e komunës paralele të Pejës, e cila funksiononte në Gorazhdec sipas sistemit serb.
Të gjithë ata arritën në përfundimin se autoritetet e Kosovës po krijojnë një atmosferë që “inkurajon tensione ndëretnike”.
Radio Evropa e Lirë iu drejtua Qeverisë së Kosovës lidhur me këto akuza, por nuk mori përgjigje.
Ambulancë për serbët në Prishtinë apo aktivitete ilegale?
Vlladan Trifiq, nga organizata joqeveritare Qendra për Paqe dhe Tolerancë (CPT), tha se ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, “po vizaton shënjestra në ballë” me informacionet se zyra e kësaj qendre në Prishtinë është e angazhuar në spiunazh dhe aktivitete të paligjshme.
Ai shtoi se, në fund, kanë mbetur vetëm akuza për ofrim të “shërbimeve të paligjshme mjekësore”.
Më 31 janar të këtij viti, Policia e Kosovës mbylli zyrën e Qendrës për Paqe dhe Tolerancë në qendër të Prishtinës. Ministri Sveçla shkroi në rrjetet sociale se ajo e ka “rrezikuar sigurinë”, por pa shpjeguar se si.

Kjo zyrë ekzistonte nga viti 1999 dhe, sipas Qendrës për Paqe dhe Tolerancë, shërbente si vend grumbullimi dhe shoqërimi kryesisht për serbët e mbetur në Prishtinë.
“Është e vërtetë që qendrën e kanë vizituar herë pas here mjekë, të cilët ua kanë matur tensionin dhe kolesterolin të moshuarve të mbetur serbë. Aktualisht, në Prishtinë jetojnë shtatë serbë, të cilët i kanë shfrytëzuar ekskluzivisht shërbimet e asaj qendre, në mënyrë që mjekët t’ua matin tensionin e gjakut dhe t’u japin rekomandime për trajtim të mëtutjeshëm”, tha Trifiq.
Këtë qendër e vizitonin më së shumti mjekë të Qendrës Shëndetësore të Prishtinës, e cila punon sipas sistemit serb dhe është e vendosur në Graçanicë – njërën nga komunat me shumicë serbe në jug të Ibrit.
Krahas kësaj qendre shëndetësore, në zonat me shumicë serbe në Kosovë të gjitha institucionet shëndetësore punojnë nën sistemin e Serbisë dhe Kosova i konsideron si të paligjshme.
Por, ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, tha më 7 shkurt se ka marrë garanci nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, se ato do të vazhdojnë të punojnë si më parë.
Radio Gorazhdeci: Policia ndaloi filmimin e aksionit me kërcënime
Një sërë akuzash ndaj Policisë së Kosovës bëri edhe redaktori i Radio Gorazhdecit, Darko Dimitrijeviq, i cili tha se krijohet përshtypja se “kundër serbëve po bëhet një fushatë” dhe se kushdo që është serb, “është i dyshimtë dhe bën diçka ilegale”.
Ai tha se gjatë aksionit në Gorazhdec, më 2 shkurt – kur u mbyll komuna e Pejës, e cila funksiononte sipas sistemit serb – Policia e Kosovës kërcënoi dhe ndaloi xhirimet, edhe pse, sipas tij, ata janë gjendur në terren publik dhe kanë pasur leje si gazetarë, raporton REL.















