Ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve në misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), Malcolm Simmons, ka folur për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, e cila nuk ishte në konkluzionet e Këshillit Evropian, në Samitin e BE-së që u mbajt më 23-24 qershor.

Me anë të një postimi në Twitter, Simmons ka thënë se nga ajo që ka mësuar për popullin e Kosovës gjatë kohës që ka shërbyer në Prishtinë, është se ai është i qëndrueshëm dhe i ka kapërcyer fatkeqësitë.

Ai ka thënë se Kosova ka bërë gjithçka çka i është kërkuar dhe një ditë do të shpërblehet.

“Një gjë që mësova për popullin e Kosovës është se ju jeni një popull i fortë që gjithmonë do t’i kapërceni fatkeqësitë. Ju keni bërë gjithçka që ju është kërkuar. Një ditë do të shpërbleheni”, ka shkruar Simmons.

One thing I learned about the people of Kosovo is that you are a resilient people who will always overcome adversity. You have done everything asked of you. One day you will be rewarded. https://t.co/JZensgMiyO

— Judge Malcolm Simmons (@SimmonsJudge) June 24, 2022

Ndryshe, më 23-24 qershor, liderët e 27 vendeve evropiane të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor kanë mbajtur një samit dyditor në Bruksel.

Pas samitit të BE-së, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kishte deklaruar se ka marrë mbështetje deklarative nga përfaqësuesit e shteteve të BE-së për liberalizimin e vizave.

Sipas saj, tani priten vetëm hapat konkretë.

Por liberalizimi i vizave, nuk u përmend në konkluzat e Këshillit Evropian, ani pse në pikën e parë thuhet se Bashkimi Evropian shpreh angazhimin e tij të plotë dhe të qartë për perspektiven e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Ndërsa në ditën e dytë të Samitit të BE-së, në konferencën e krerëve evropianë, Macron, Michel dhe Von der Leyen, Kosova është përmendur nga ana e tyre vetëm për dialogun Kosovë-Serbi dhe jo për çështjen e liberalizimit të vizave.