Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka zhvilluar të hënën një aksion simbolik para zyrave të KEK-ut, ku ka vendosur fotografitë e katër punëtorëve që kanë humbur jetën në vendin e punës.
Përmes këtij aksioni, sindikata ka kërkuar përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e masave për sigurinë e punëtorëve.
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, ka thënë se punëtorët në Kosovë nuk kanë mbrojtjen e duhur ligjore, ndërsa ka shprehur ngushëllime për familjet e punëtorëve që humbën jetën.
“Ne sot si sindikatë e KEK-ut, me një aksion simbolik para drejtorisë dhe menaxhmentit të KEK-ut, vendosëm disa fotografi të kolegëve tanë që kanë humbur jetën në vendin e punës. Edhe njëherë, të gjitha familjeve u shprehim ngushëllime, kolegëve të korporatës dhe të gjithë atyre që i kanë njohur këta djem punëtorë, këta djem të mirë”, ka deklaruar Jashari.
Jashari ka njoftuar se të mërkurën, nga ora 08:00, në tri divizionet e KEK-ut do të zhvillohet një protestë solidarizuese me familjet e punëtorëve që kanë humbur jetën në vendin e punës.



