Sindikata e pavarur e minatorëve të Trepçës ka thënë se menaxhmenti i Trepçës i ka rreth 80 mijë euro obligime ndaj Sindikatës së Minatorëve të Kosovës.

Sipas sindikatës, menaxhmenti i Trepçës është duke penguar aktivitetin sindikal në mënyra të ndryshme, duke filluar nga përndjekjet, shantazhet, presionet, kërcënimet, suspendimet, largimet nga puna dhe format e tjera.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, në veçanti sindikata ka përmendur një formë tjetër pengimit të veprimit sindikal dhe përpjekjes për të zhbërë sindikatën, si ndalimi i kuotizimit dhe anëtarësisë sindikale.

Sipas sindikatës, detyrimi i menaxhmentit është rezultat i mostransferimit të kuotave të paguara nga punonjësit për disa vite.

Sindikata ka shprehur zhgënjim për mënyrën se si mjete të paguara nga paga e punonjësve nuk janë transferuar në llogarinë sindikale.

Në reagimin e tyre, sindikata ka akuzuar menaxhmentin për përndjekje të sindikalistëve dhe tentativë për shpërbërjen e sindikatës.

“Si rezultat i mostransferimit të këtyre mjeteve për disa vite obligimi tanimë duhet të jetë rreth 80.000 mijë euro. E tmerrshme. Këto janë mjete të cilat ne i paguajmë nga paga jonë, me djersen e ballit dhe të njëjtat nuk na i transferojnë në llogarinë sindikale. Me tendencën e vetme përndjekjen e sindikalistëve, largimin e tyre nga sindikata dhe njëherit zhbërjen e saj. Turpi ju mbuloftë. Ju s’e keni idenë se çka është as demokratike e as ligjore. Por ta dini se Trepça nuk është pronë e bordit e as e një menaxhmenti total të padijshëm”, thuhet në reagim.

Gjithashtu, sindikata ka bërë thirrje për pagesën e plotë të kuotës sindikale brenda një jave, duke njoftuar se nëse detyrimi nuk plotësohet, ata do të ndërmarrin hapa demokratikë për t’i mbrojtur të drejtat e tyre sindikale.

“Ne ju njoftojmë dhe bëjmë thirrje që nëse brenda afatit njëjavor nuk paguhet vlera e plotë e kuotizimit sindikal (që është paguar nga djersa jonë/ nga gjepi ynë/nga kafshata e familjeve tona), ne do t’i ndërmarrim të gjithë hapat demokratik për të realizuar këtë të drejtë”, thuhet në njoftim.