Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar një raport lidhur me indeksin e çmimeve të konsumit, sipas të cilit, norma vjetore e inflacionit ka shënuar rritje.

Në bazë të raportit të ASK-së, është vërtetuar që indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 12,5 për qind në muajin maj të vitit 2022, krahasuar me muajin maj të vitit 2021.

Ky indeks ishte më i lartë në një mesatare prej 0.9% në majin e vitit 2022, dhe kjo shpjegohet dukshëm nga ngritja e çmimeve te nëngrupet e COICOP-it siç janë: buka dhe drithërat (1,8%), mishi (4,3%), qumështi, djathi dhe vezët (0,5%), vajrat dhe yndyrat ushqimore (5,2%), pemët (5,4%), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (1,3%), prodhime të ndryshme ushqimore salca, erëza, kripë, ushqim për fëmijë etj., (2,3%), kafja, çaji dhe kakao (1,9%), ujë, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet (1,0%).

Gjitashtu, edhe pijet alkoolike kanë shënuar rritje prej (0,9%), këpucë (3,0%), mirëmbajtja dhe rregullimi i vendbanimit (1,5%), lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri (1,3%), mobilje dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje (1,5%) pajisje shtëpiake (0,4%), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (0,3%), karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (5,5%), pajisjet audio-vizuale, fotografike për përpunimin e informatave (1,2%), shërbimet hoteliere (0,5%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1,4 për qind në IHÇK-it.

Ndryshimet mujore dhe vjetore të çmimeve

Një rënie e çmimeve është vrejtur te nëngrupet e COICOP-it, siç janë perimet (-10,7%) dhe energjia elektrike (-4,7%).

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) i Kosovës është i përpiluar, sipas metodave të Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK).

Indeksi i harmonizuar vjetor i çmimeve të konsumit sipas viteve 2010 – 2021 (2015=100)

Eurostati e kishte definuar IHÇK-në si standard evropian për indekset e çmimeve të konsumit.

Sipas COICOP-it, ASK ka ndarë 91 klasa konsumi të definuar (në nivel 4-shifror) në 420 produkte.

Tashmë, ASK-ja ka përcaktuar peshë për çdo element, dhe çdo muaj vazhdon të grumbullojë çmime për secilin agregat elementarë.