Situata e krijuar në Ukrainë, Kurti: E gjithë Evropa është në rrezik

Pas situatës së krijuar në Ukrainë nga agresioni rus, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se e gjithë Evropa është në rrezik.

Kurti, presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, e ka quajtur të hidhëruar dhe nostalgjik.

“Presidenti Putin mendon se është Stalini i shekullit të 21-të dhe sheh Ruzveltin e ri te Presidenti Biden. Pra, përsëri, ata duan të copëtojnë Evropën, ata janë një perandori që duan të shtrihen përsëri në Evropën Lindore. Presidenti Putin është i hidhëruar dhe nostalgjik dhe kjo është arsyeja pse e gjithë Evropa është në rrezik”, është shprehur Kurti.

Ai gjatë një interviste për BBC-në, i ka mohuar akuzat se Kosova ka dërguar luftëtarë për t’iu bashkuar trupave ukrainase.

Ai ka hedhur poshtë pretendimet e Ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, se veprimet e Rusisë në Ukrainë janë të njëjta me ato të intervenimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Aleancës veriatlantike (NATO) në Kosovë, gjatë vitit 1999.

“Nuk është e vërtetë. Asnjë qytetar nga Kosova nuk ka shkuar të luftojë në Ukrainë, por që në fillim ne si Qeveri e Kosovës shprehëm admirimin dhe solidaritetin tonë me luftën çlirimtare të popullit ukrainas, dënuam ashpër invazionit rus dhe iu bashkuam sanksioneve të SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe kundër Rusisë”, ka thënë ai.

Teksa ka folur për gjendjen në Ukrainë, dhe kërkesën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për një takim me Putinin, Kurti ka thënë se presidenti rus nuk është i interesuar për bisedime.

“Mendoj se Presidenti Zelenskyy po tregon gatishmërinë e tij për bisedime dhe marrëveshje dhe për zgjidhje paqësore. Por, kam frikë se Presidenti Putin nuk dëshiron të ulet me Presidentin Zelenskyy, ai dëshiron të ulet me Presidentin Biden”, ka shtuar Kurti.

Në anën tjetër, teksa ka shprehur qëndrimin e tij për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, Kurti po ashtu,  ka ritheksuar mbështetjen e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe.

“Ne duam të anëtarësohemi në NATO dhe duam ndihmën e Evropës Perëndimore, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe për të arritur anëtarësimin e Kosovës sa më shpejt”, është shprehur Kurti.

Ndërkohë, i pari i qeverisë ka potencuar se Kosova ka shprehur gatishmëri për të pranuar rreth pesë mijë refugjatë nga Ukraina.

Ai ka theksuar se është e rëndësishme që të mos lejohet që lufta të përhapet diku tjetër dhe ka bërë thirrje që të ndihmohet Ukrainë në mënyrë që të mposhtet Federata Ruse.

Ndryshe, ministrja gjermane e Financave, Annalena Baerbock, të hënën e 21 marsit, ka deklaruar se Bashkimi Evropian do të rrisë ndihmën financiare dhe dërgimin e armëve për Ukrainën.

Kështu, ka thënë ajo përpara një Këshilli të posaçëm të Punëve të Jashtme në Bruksel.

“Do të rrisim mjetet financiare për blerjen e mallrave ushtarake në një miliard euro. Ne qëndrojmë me solidaritet të plotë në anën e Ukrainës, qëndrojmë për mbrojtjen e popullsisë civile në Ukrainë”, është shprehur Baerbock para gazetarëve.

Po ashtu, siç  ka theksuar ajo, Gjermania do të sigurojë që shitjet e armëve nga prodhuesit gjermanë të kryhen sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Ukraina ka nevojë për armë të tjera”, ka shtuar ajo, pa dhënë detaje të mëtejshme për shkak të sigurisë.

“Kjo ka të bëjë me jetën dhe vdekjen, jemi në mes të një lufte dhe për këtë arsye nevojitet kujdes absolut për të deklaruar se cilat armë do të dorëzohen dhe ku”.

Ndërkohë, siç shkruan CNN, Baerbock ka potencuar se qeveria ruse vazhdon të përshkallëzojë retorikën e saj në lidhje me armët bërthamore si dhe territorin e NATO-s.

Sipas saj, aleanca duhet të parandalojë përhapjen e luftës në vendet e tjera.

Ndryshe, agresioni rus ndaj Ukrainës kishte nisur më 24 shkurt të këtij viti.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika