Ekipi i RTV Dukagjini që po raporton nga veriu i Mitrovicës ka bërë të ditur se situata është qetësuar aktualisht.

Gazetari Liridon Llozani që gjendet tani në lagjen e Boshnjakëve ka bërë të ditur se njësitet Speciale të Policisë së Kosovës po vazhdojnë ta monitorojnë situatën, por me prani të reduktuar në terren.

Në udhëkryqin tjetër pak orë më herët janë parë qytetarë të grumbulluar, në mesin e tyre edhe të maskuar, por aktualisht janë shpërndarë.

Ndryshe, rreth orës 13:00 të së martës, në Mitrovicë të Veriut janë dëgjuar sirena alarmi.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë të lënduar gjatë një aksioni në veri.

Sipas tij, Policia e Kosovës në këtë aksion e ka arrestuar Milun Milenkoviq- Llune, “një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’”.

Sipas Sveçlës, i njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan para dy javësh.

Serbët lokalë kanë organizuar protesta në tri komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Ata kanë protestuar rregullisht prej 29 majit për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.