“S’ka arsye që shqiptarët e Luginës të kenë më pak të drejta se serbët e Veriut të Kosovës”

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, ka deklaruar se nuk ka asnjë arsye që shqiptarët e Luginës së Preshevës të kenë më pak liri dhe të drejta se serbët e veriut të Kosovës

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi Foto: Kallxo.com

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, ka thënë se s’ka arsye që shqiptarët e Luginës së Preshevës të kenë më pak mundësi, më pak liri dhe më pak të drejta se serbët e Veriut të Kosovës.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Mustafi ka theksuar se pakicat nuk mund të jenë më burim ndasie, por duhet të jenë ura që lidhin fatet tona drejt së ardhmes evropiane.

Teksa i është referuar gjashtë pikave të marrëveshjes së kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takimin e tij me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel, Mustafi ka potencuar se atë që shqiptarët e Luginës e duan për veten e tyre, nuk ua mohojnë të tjerëve.

“Vuçiq paska renditur gjashtë pika të marrëveshjes së kërkuar nga Kurti në Bruksel me shpjegime shtesë, parimet e përgjithshme të marrëdhënieve dypalëshe (njohja reciproke dhe refuzimi, hyrja në të gjitha organizatat ndërkombëtare), zgjidhja e problemeve nga e kaluara (personat e pagjetur, konstatimi dhe zgjidhja e problemeve të personave të përdhunuar, të zhvendosurve, shkatërrimi i pronës publike private dhe kthimi i artefakteve dhe çdo artefakti tjetër të vjedhur prej Serbisë nga Kosova dhe në fund reparacionet e luftës që Serbia duhet paguajë), bashkëpunimi në të ardhmen”.

“Reciprociteti në të drejtat e njëjta për shqiptarët në Luginën e Preshevës me ato që kanë serbët në veri, 5. Rishqyrtimi i marrëveshjeve të dakorduara më parë, dhe siç tha Vuçiq, kjo më së shumti i referohet asaj që Prishtinës nuk i pëlqen – para së gjithash, themelimi i asociacionit të komunave serbe, 6. Marrëveshja përfundimtare”, ka shkruar ai.

Sipas Mustafit, kjo është një mundësi historike e një paqeje të munguar, të identifikuar botërisht me luftën e me urrejtjen.

“Një mundësi historike për të ndërprerë ciklin e trashëgimisë së traumave dhe pasojat traumatike te gjeneratat e së nesërmes që nuk i meritojnë. Për një paqe të qëndrueshme, sepse atë që duan shqiptarët e Luginës për veten nuk ia mohojmë tjetrit. Por ama, atë që i jepet tjetrit, asnjë tjetër nuk mund të na e mohojë neve”, shtoi ai.

Ndryshe, të enjten e 18 gushtit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, janë takuar në Bruksel në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian(BE).

Në ndërtesën ku po mbahej takimi ishin të pranishëm Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell dhe Përfaqësuesi Special i BE-së për dialog Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në ndërtesën ku po mbahej takimi ka qenë i pranishëm edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar.

Pavarësisht takimeve të gjata dypalëshe e tripalëshe, në këtë ditë nuk u arrit marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Po në këtë ditë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka ftuar serbët e Kosovës në një takim të dielën në Beograd, takim në të cilin janë ftuar të gjithë përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të serbëve nga Kosova.

Ndërkaq, në pasditen e së enjtes, pas pesë orësh që kishin zhvilluar takime, shefi i diplomacisë evropiane, Borrell, në një konferencë për media ka bërë të ditur se në takimin në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk u arrit asnjë marrëveshje.

Ai tha se, përkundër dështimit për një marrëveshje, dialogu do të vazhdojë ditëve në vijim.

“Fatkeqësisht nuk kemi arritur marrëveshje në takimin e sotshëm, por nuk është përfundimi i këtij tregimi, të dy liderët janë pajtuar që procesi duhet të vazhdojë që diskutimet të rifillojnë në ditët në vijim, ka kohë deri më 1 shtator, nuk ka marrëveshje ditën e sotme, do të vazhdojmë kërkimin për zgjidhje, ky diskutim do të vazhdojë”, ka deklaruar Borrell.

Ndërsa, pas përfundimit të takimeve, në orët e mbrëmjes Qeveria e Kosovës ka dalë me një komunikatë për media.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se në takimin në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është diskutuar për dy tema, të cilat sipas qeverisë ishin në agjendë.

Njëra nga to ishte “diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes”.

“Kryeministri Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë”, thuhej në njoftimin e qeverisë.

Kurse tema e dytë, sipas Qeverisë së Kosovës, ishin zhvillimet aktuale dhe politikat e sigurisë.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika