S’ka konstituim – Kuvendi dështon për herë të 43-të
Edhe vazhdimi i seancës së 43-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka përfunduar pa asnjë vendim konkret. Shkaku kryesor mbetet mungesa e konsensusit ndërmjet partive politike për mënyrën e votimit të kandidates së propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit. Partitë PDK, LDK dhe AAK vazhdojnë të kenë qëndrime të njëjta, […]
Edhe vazhdimi i seancës së 43-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka përfunduar pa asnjë vendim konkret.
Shkaku kryesor mbetet mungesa e konsensusit ndërmjet partive politike për mënyrën e votimit të kandidates së propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit.
Partitë PDK, LDK dhe AAK vazhdojnë të kenë qëndrime të njëjta, duke u shprehur në foltoren e Kuvendit dhe duke kërkuar që Lëvizja Vetëvendosje të tërhiqet nga komisioni për votimin e fshehtë.
Por, kryesuesi Avni Dehari ua ndali fjalimet Ariana Shoshi-Musliut të PDK-së dhe Besian Mustafës së LDK-së, që kërkonin rikthim në procedurën e votimit të hapur për zgjedhjen e kryetarit.
Partitë ish-opozitare, PDK, LDK dhe AAK, po vazhdojnë të qëndrojnë në sallën e Kuvendit, ndërsa Dehari ka përmbyllur seancën kosntituive.
Opozita ka refuzuar të marrë pjesë në formimin e komisionit për votimin e fshehtë, ndërsa Vetëvendosje vazhdon të insistojë se zgjedhja e kryetarit është e drejtë e fituesit të zgjedhjeve.
Seanca e radhës pritet të mbahet të mërkurën në orën 11:00.
Nga ana tjetër, deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se nuk pret që Kuvendi të konstituohet as në këtë seancë dhe ka kërkuar që, nëse nuk ka pajtim për votimin e fshehtë, atëherë të rrëzohet komisioni për votim.
Ajo ka theksuar se nëse nuk ka rrugë tjetër, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme ose të kërkohen udhëzime shtesë nga Gjykata Kushtetuese.
Me këtë dështim, Kosova mbetet pa institucione të reja, ndërkohë që kanë mbetur edhe 19 ditë nga afati kushtetues, siç e ka sqaruar Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj të 26 qershorit, që kërkon përfundimin e seancës konstituive brenda 30 ditëve.















