Para fillimit të 28-të të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të shtunën, deputetët kërkonin bashkëpunim mes partive që të kalohet bllokada politike.

“Jam optimist se duhet ta gjejnë një zgjidhje. Ulen kryetarët e partive dhe merren vesh për një zgjidhje qoftë ajo ta formojnë një koalicion, një qeveri të pakicës apo të shkohet në zgjedhje”, ka thënë Arben Gashi, Deputet i LDK-së.

Por, kjo zgjidhje nuk erdhi të shtunën. Kështu, edhe tentimi i 28-të dështoi. Kësaj radhe propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit mori vetëm 48 vota pro, më së paku deri tani.

”E shtyjmë për 48 orë”, ka thënë Avni Dehari, Kryesues i Kuvendit të Kosovës.

Pas dështimit, përsëritjen e qëndrimit të PDK-së e bëri deputetja Vlora Çitaku.

“Nuk është në rregull të normalizohet kjo lloj situate. Edhe një herë bëjmë thirrje për reflektim ne si Partia Demokratike të Kosovës kemi ofruar zgjidhje. Nuk është koha të barrikadohemi”, ka thënë Vlora Çitaku, Deputete e PDK-së.

Kurse kandidatja e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu po e lë fajtore opozitën.

”I kemi numrat për qeverinë Kurti 3 , le të na sfidojnë”, ka thënë Albulena Haxhiu, deputete e LVV-së.

“Ne kemi thënë që i kemi numrat për qeverinë dhe lë të na matin, le të na sfidojnë. Këta e dinë që ne i kemi votat për qeverinë dhe e mbajnë peng Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Albulena Haxhiu, deputete e LVV-së.

Tentimi i 29-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë do të mbahet të hënën nga ora 11:00.