Pa ndonjë marrëveshje ka përfunduar takimi që zgjati rreth tre orë mes kryeministrit Albin Kurti dhe përfaqësuesve të Njësisë Speciale Intervenuese dhe me zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Fehmi Hoti.

Qeveria ka bërë të ditur se gjatë takimit kryeministri Kurti, pasi ka dëgjuar fillimisht kërkesat e tyre, ka vlerësuar punën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe i ka falënderuar ata.

Në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit, bëhet e ditur se gjatë takimit Kurti ka thënë se  kategorizimi dhe vlera e shtesave të rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës është rritur me kujdes të veçantë.

“Gjatë takimit, kryeministri Kurti i njoftoi ata se kategorizimi dhe vlera e shtesave të rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës është bërë me kujdes të veçantë e të shtuar, duke marrë në konsideratë të gjithë faktorët rreth punës dhe përgjegjësive të tyre, por në të njëjtën kohë duke pasur parasysh edhe kufizimet që ekzistojnë”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti.

Ndër të tjera, kryeministri Kurti në takim ka shprehur vetëm përkushtimin e Qeverisë për përmirësimin e kushteve dhe pajisjeve të punës për Policinë e Kosovës, duke theksuar se kjo është reflektuar edhe në projektbuxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për vitin 2024.

“Qeveria e Republikës së Kosovë është e përkushtuar për përmirësimin e kushteve dhe pajisjeve të punës për Policinë e Kosovës, në mënyrë që krahas lehtësimit në punë, të ndikojë drejtpërdrejt po ashtu në uljen e rrezikshmërisë gjatë kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive. Ky përkushtim reflektohet edhe në projektbuxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për vitin 2024, në të cilin, parashihet shtimi i investimeve kapitale në Policinë e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Takimi mes Kurtit dhe pjesëtarëve të NJSI ka nisur në orën 16:00 dhe ka zgjatur rreth tri orë.

Kujtojmë se pjesëtarët e NjSI-së kanë protestuar më 1 nëntor për t’i shprehur pakënaqësitë lidhur me pagën, rrezikshmërinë dhe shtesat e tjera.

Më 27 tetor, Qeveria e Kosovës i prezantoi shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Shtesat janë ndarë në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve policorë.

Për njësitet elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë 150 euro mbi pagën bazë.

Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, Qeveria ka thënë se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.