“S’ka pezullim të procedurave për master-planin e kompleksit memorial Adem Jashari” thuhet në reagimin e ministrisë

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka mohuar se është pezulluar ose ka shkelje të procedurave të zhvillimit të master-planit të kompleksit memorial “Adem Jashari” në Prekaz

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se nuk është pezulluar ose ka shkelje të procedurave të zhvillimit të master-planit të kompleksit memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Me anë të një njoftimi, ky dikaster ka sqaruar se procesi është duke ndjekur rrugën e duhur sipas legjislacionit aktual për prokurim publik, dhe se asnjë vendim final nuk është marrë akoma për këtë çështje.

“Kjo procedurë është në zhvillim e sipër sipas rrjedhës së përcaktuar me legjislacionin për prokurim publik, dhe deri më tani nuk ka asnjë vendim përfundimtar rreth këtij procesi. Aktualisht, nga data 22.12.2023, ky proces është në fazën ankimore pranë Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) dhe nuk ka konsumuar afatin ligjor për shqyrtim të lëndës.  Duam të sqarojmë opinionin publik që sa herë operatorët ekonomik konkurrues parashtrojnë ankesë pranë OSHP-së, pezullohet procesi i prokurimit dhe nisë të rrjedhë afati ligjor i shqyrtimit të ankesës. Gjithashtu, përfoljet për “shkeljet flagrante” janë pretendime të operatorit ekonomik ankues që nuk është vlerësuar si fitues, dhe në çdo rast janë subjekt i vlerësimit profesional të njësive përgjegjëse institucionale”, thuhet në reagimin e ministrisë.

Sipas këtij dikasteri, në procesin e zhvillimit të master-planit të kompleksit memorial “Adem Jashari” në Prekaz të gjitha veprimet e ministrisë kanë qenë në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi dhe standardet profesionale për administrimin e një konkursi ndërkombëtar të projektimit.

“Operatori ekonomik që nuk është vlerësuar si fitues në këtë procedurë ka vendosur të ankohet në OSHP. Ne e respektojmë të drejtën e secilit për të përdorur mjetet ligjore të ankesës, duke siguruar proces demokratik e me integritet. MKRS konfirmon që deri më tani nuk ka pranuar asnjë raport të ekspertizës, rekomandim apo vendim nga OSHP rreth pretendimeve të operatorit ekonomik ankues rreth këtij procesi”, vijon njoftimi.

MKRS-ja thotë se ka qenë transparente nga fillimi i këtij procesi duke e mbajtur publikun të informuar për të gjitha fazat dhe veprimet në këtë proces.

“Qysh në fillim, me kërkesën e Komitetit ndër-ministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, MKRS ka formuar grupin koordinues për vlerësimin e gjendjes fizike të ndërtesave në kuadër të Kompleksit në muajin korrik të vitit 2021. Ky grup koordinues ka rekomanduar hapat që duhet të ndërmerren për trajtimin e Kompleksit Memorial. Një prej rekomandimeve ka qenë edhe vlerësimi i gjendjes fizike të ndërtesave kryesore të kompleksit në aspektin strukturor. Bazuar në këtë raport, MKRS ka lidhur Memorandum Bashkëpunimi me Fakultetin e Ndërtimtarisë të Universitetit të Prishtinës. Profesorët e UP-së e kanë dorëzuar raportin final në të cilin janë identifikuar ndërtesat me rrezikshmëri të lartë brenda Kompleksit Memorial”.

“Nga këto ndërtesa janë identifikuar Shtëpia e Sala dhe Hamit Jasharit, pika vrojtuese – bunkeri, Shtëpia e Sadik Jasharit, muri rrethues i mbetur i shtëpisë se Smajl Jasharit, ndërsa për ndërtesat kryesore, Kullat e Jasharëve, është konstatuar nga ekspertët që nuk janë në gjendje të rrezikut imediat, por që nuk mund të presin gjatë dhe kërkohet hartimi i master-planit ku duhet të parashihet trajtimi i tyre sipas konceptit të përgjithshëm zhvillimor”.

Në njoftimin e ministrisë theksohet se kanë zhvilluar procedurat dhe ka lidhur kontratat për ndërhyrje emergjente në Shtëpinë e Sala dhe Hamit Jasharit, dhe në Shtëpinë e Sadik Jasharit, pikën vrojtuese – bunkeri, dhe murin rrethues të shtëpisë së Smajl Jasharit.

Të gjitha këto punime, sipas ministrisë, janë realizuar me sukses duke e mënjanuar rrezikun që i kanosej këtyre ndërtesave për një kohë të caktuar.

“Si veprim tjetër, Komiteti Ndërministror i Kompleksit Memorial Adem Jashari në Prekaz ka emëruar Komisionin e Ekspertëve. Komisioni ka bërë hulumtimin, analizën dhe vizionimin për KMAJ dhe ka përpiluar Termet e Referencës për hartimin e Master Planit. Ky dokument i është dorëzuar Komitetit Ndërministror në janar të vitit 2023. Komiteti Ndërministror e ka aprovuar dokumentin final të Komisionit të Ekspertëve, dhe Qeveria e Republikës së Kosovë ka marrë vendim për kriteret, kushtet për shpalljen e konkursit si dhe procedurat e aplikimit për Projektin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Në përputhje me këtë vendim, MKRS e ka shpallur procedurën e hapur të prokurimit për përzgjedhjen e projektit (master-planit) për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” më 25 maj 2023”.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika