S’ka të lënduar nga zjarri në Shtëpinë e të Moshuarve, banorët janë dërguar në hotel
Një zjarr ka shpërthyer në shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë mbrëmjen e së hënës, por nuk ka pasur të lënduar. Disa persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të vështirësisë në frymëmarrje nga tymi. Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur se incidenti ka ndodhur rreth orës 18:00 […]
Një zjarr ka shpërthyer në shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë mbrëmjen e së hënës, por nuk ka pasur të lënduar.
Disa persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të vështirësisë në frymëmarrje nga tymi.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur se incidenti ka ndodhur rreth orës 18:00 në rrugën “Afrim Loxha”.
Zjarrfikësit dhe policia kanë reaguar menjëherë dhe kanë lokalizuar zjarrin.
“Sot rreth orës 18:00 kemi pranuar informatën për një incident zjarri në rrugën ‘Afrim Loxha’ në Prishtinë, saktësisht në shtëpinë e pleqve. Në vendngjarje kanë dalë zjarrfikësit dhe policia, të cilët po merren me rastin. Zjarri është lokalizuar dhe bazuar në informatat e deritanishme, raportohet për persona që kanë kërkuar ndihmë për shkak të vështirësimit të frymëmarrjes nga tymi, nuk ka ndonjë person të lënduar”, ka thënë Ahmeti.
Pas rastit, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me nënkryetaren Jehona Lushaku dhe ekipin përkatës, kanë vizituar vendin e ngjarjes.
Pas konsultimeve me ekipin e urgjencës mjekësore dhe të zjarrfikësve, është vendosur që të moshuarit të evakuohen dhe të zhvendosen në një hotel për çështje sigurie derisa të përfundojë pastrimi i objektit.
“Të gjithë janë mirë në aspektin shëndetësorë, mjekët janë këtu për të konfirmuar se të gjithë janë mirë. Isha në inspektim së bashku me ekipin dhe vendosëm për çështje sigurie që banorët sot me i largu dhe me i dërguar në një hotel”, ka thënë Rama.
Të gjithë banorët janë evakuuar dhe, sipas kryetarit Rama, të gjithë janë në gjendje shëndetësore të mirë.
Autoritetet policore po hetojnë rastin.















