Në një seancë gjyqësore të zhvilluar të hënën, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, është përballur me akuzat për një aksident rrugor të vitit të kaluar.

Pas përfundimit të seancës gjyqësore, ministrja Hajdari ka komentuar situatën për KosovaPress dhe ka bërë të ditur se nuk është marrë një vendim përfundimtar nga seanca gjyqësore e së hënës.

“Nuk ka vendim sot. Punë të mbarë juve”, ka thekuar ajo.

Në lidhje me seancën gjyqësore, avokati i ministres, Shemdi Bunjaku, ka kërkuar që ajo të mbahet e mbyllur për media, duke argumentuar se ky rast është i ndjeshëm për shkak të përfshirjes së një fëmije.

Megjithatë, avokati i palës së dëmtuar, Florim Shefqeti, nuk është pajtuar me këtë kërkesë dhe ka theksuar se kjo lëndë është zvarritur për shqyrtim.

Aksidenti në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, ku u aksidentua një fëmijë dhe ishte e përfshirë ministrja Hajdari, kishte ndodhur më 10 prill të vitit 2022 dhe ishte konfirmuar nga autoritetet policore.