Zjarret që përfshinë zonën e Zadarit javën që lamë pas nuk po lënë pas vetëm tokë të djegur, por edhe pikëpyetje që tejkalojnë kronikën e zakonshme të një vere të nxehtë në Adriatik.
Katër persona janë arrestuar nga autoritetet kroate nën dyshimin për shkaktimin e qëllimshëm të një serie zjarresh. Tre janë shtetas kroatë dhe një shtetase polake, ndërsa sipas raportimeve, tre prej tyre janë me përkatësi etnike serbe.
Elementi që e bën rastin shqetësues është numri: dhjetë zjarre në lokacione të ndryshme. Kur zjarri ndizet një herë, mund të jetë aksident. Kur autoritetet hetojnë dhjetë vatra si zjarrvënie të qëllimshme, pyetja nuk është më vetëm: kush e ndezi zjarrin?, por pse dhe me çfarë motivi?

Dhjetë zjarre – rastësi apo koordinim?
A vepruan të dyshuarit së bashku? A kishte ndarje rolesh? A ishin zgjedhur lokacionet paraprakisht? A kishin njohuri specifike për mënyrën e përhapjes së zjarrit? Natyrisht, përgjigjen duhet ta japin institucionet përkatëse kroate.
Dhjetë zjarre të dyshuara si të qëllimshme janë arsye e mjaftueshme që të hetohen motivet, komunikimet, lëvizjet dhe lidhjet e personave të arrestuar.
Nga “fikja e zjarreve” te zjarrvënia – pyetja që çon në Nish
Në Nish funksionon prej vitesh Qendra Humanitare Ruso-Serbe, e krijuar nga Rusia dhe Serbia dhe e specializuar, ndër të tjera, për emergjenca, operacione shpëtimi dhe fikjen e zjarreve. Në të janë zhvilluar trajnime dhe simulime për situata emergjente me personel nga Serbia dhe rajoni, por gjithsesi kjo qendër mbart në vete mjaftë pikëpyetje për rolin e vertetë që ka.
Kjo hap një pyetje që autoritetet kroate duhet të jenë në gjendje ta verifikojnë se a është kontrolluar nëse ndonjëri prej të arrestuarve në Zadar është trajnuar në Qendrën Humanitare Ruso-Serbe në Nish apo ka pasur kontakte me persona ose struktura të lidhura me të? Kjo mbase duhet të jetë njëra nga pistat që mund të verifikohet ose përjashtohet nga hetimi.

Kur zjarri bëhet instrument, fillon çështja e sigurisë
Sabotimet dhe operacionet destabilizuese në kontinentin e vjetër, Evropës nuk paraqiten domosdoshmërisht me uniformë. Ato mund të fshihen edhe pas incidenteve që fillimisht duken si kriminalitet i zakonshëm.
Nëse konfirmohet se dhjetë zjarret janë shkaktuar qëllimisht dhe në mënyrë të koordinuar, nuk mjafton të gjendet vetëm ai që mbajti shkrepësen. Duhet zbuluar edhe motivi dhe çdo lidhje eventuale jashtë Kroacisë.