Propozimi i deputetit shqiptar Shaip Kamberi për krijimin e një Komisioni të posaçëm në Parlamentin e Serbisë, që do të hetonte rrethanat e vdekjes së 135 ushtarëve shqiptarë gjatë shërbimit në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ) në vitet ’80, nuk ka marrë mbështetje.
Për propozimin e tij votuan 7 deputetë, 4 ishin kundër, ndërsa 164 nuk morën pjesë në votim.
Në fjalimin e tij, Kamberi theksoi se vdekjet e ushtarëve shqiptarë në atë periudhë janë trajtuar zyrtarisht si “vetëvrasje”, “aksidente” apo incidente të izoluara, por familjet e viktimave dhe pjesa shqiptare e shoqërisë kanë ngritur vazhdimisht dyshime për motive etnike dhe politike.
Sipas tij, autoritetet e atëhershme dhe ato aktuale në Serbi nuk kanë pranuar kurrë zyrtarisht se mund të ketë pasur vrasje me bazë etnike gjatë shërbimit ushtarak në APJ. Ai shtoi se mungesa e hetimeve të pavarura dhe mbyllja e arkivave ushtarake kanë penguar zbardhjen e plotë të rasteve.
Kamberi tha gjithashtu se shqiptarët në ish-Jugosllavi shpesh përballeshin me diskriminim dhe paragjykim brenda ushtrisë, sidomos pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë. Sipas tij, kjo ka ndikuar edhe në perceptimin e tyre si të dyshuar apo të pabesueshëm në strukturat ushtarake.
Ai theksoi se këto raste vazhdojnë të mbeten të pahetuara dhe të mbyllura në diskursin institucional në Serbi, ndërsa mungesa e transparencës ka rritur dyshimet e familjeve dhe opinionit publik për motive etnike ose politike pas vdekjeve.