Një tjetër skandal i rëndë që prek majat e aparatit shtetëror në Serbi ka shpërthyer në Beograd, pasi ish-shefi i Policisë së Beogradit dhe ish-këshilltari i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, Veselin Miliq, është dërguar në paraburgim nën dyshimet për përfshirje në fshehjen e një vrasjeje mafioze dhe manipulim të provave.
Gjykata në Beograd i ka caktuar Miliqit masën e paraburgimit prej 30 ditësh, ndërsa hetimet lidhen me zhdukjen dhe eliminimin e Aleksandar Neshoviqit, i njohur në qarqet kriminale me nofkën “Baja”.
Sipas raportimeve të mediave serbe, Neshoviqi dyshohet se është vrarë me armë zjarri nga Sasha Vukoviq Boske gjatë një takimi në një restorant ku ndodhej edhe vetë Miliq.
Ironikisht, ish-zyrtari i lartë policor raportohet se kishte tentuar më herët të “ndërmjetësonte” konfliktin mes tyre, çka tani ngre dyshime serioze për lidhjet e strukturave të sigurisë me qarqet kriminale në Serbi.
Hetimet kanë zbuluar se pas vrasjes, dy policë nga sigurimi i Miliqit, në koordinim me autorin e dyshuar, e kanë larguar trupin e viktimës nga restoranti dhe më pas e kanë djegur pranë autostradës afër Shimanovçit, në përpjekje për të zhdukur gjurmët e krimit.
Sipas prokurorisë, Miliq bashkë me një tjetër pjesëtar të policisë kanë qëndruar në vendngjarje për të manipuluar provat, për të pastruar gjurmët dhe për të fshirë pamjet e kamerave të sigurisë — një skemë që opozita serbe po e cilëson si dëshmi të kapjes së institucioneve të sigurisë nga rrjetet kriminale të lidhura me pushtetin.
Deri më tani janë arrestuar nëntë persona, përfshirë tre zyrtarë policorë, ndërsa rasti po konsiderohet si një nga goditjet më të rënda ndaj kredibilitetit të sistemit të sigurisë në Serbi gjatë viteve të fundit.
Skandali ka intensifikuar kritikat ndaj regjimit të Aleksandar Vuçiqit, i cili prej vitesh akuzohet nga opozita dhe organizatat ndërkombëtare për kapje të shtetit, kontroll politik mbi policinë dhe tolerim të lidhjeve mes pushtetit dhe grupeve kriminale.
Opozita në Serbi tashmë ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Ivica Daçiq dhe të drejtuesve të lartë të policisë, duke paralajmëruar se rasti mund të zbulojë një rrjet shumë më të gjerë të ndërthurjes së politikës me krimin e organizuar.