Tatimpaguesit britanikë subvencionuan “terapi shëruese” për ushtarët e IDF-së pas shërbimit të tyre në Gaza, zbulon një hetim i Declassified.
Tatimpaguesit britanikë kanë financuar “terapi shëruese” për ushtarët izraelitë që kanë luftuar në Gaza, zbulon Declassified.
Një organizatë izraelite ka marrë një shumë të padeklaruar përmes një organizate bamirësie britanike, ndërsa qeveria britanike ka shtuar 25 për qind përmes skemës Gift Aid.
Email-et e siguruara nga Declassified tregojnë se Yahalom Foundation, një organizatë e veteranëve izraelitë, u kërkon mbështetësve britanikë t’i kanalizojnë donacionet përmes “platformës së partnerit të saj të regjistruar në Britani”.
“Përpunimi i donacionit tuaj përmes tyre siguron që të merrni njohje të plotë tatimore dhe aktivizon Gift Aid, duke maksimizuar ndikimin e kontributit tuaj”, thuhet në email.
“100 për qind e dhuratës suaj i dërgohet drejtpërdrejt Yahalom për të mbështetur misionin tonë kryesor”, transmeton Telegrafi.
Fondacioni Yahalom u drejton donatorëve britanikë një listë projektesh për mbledhjen e fondeve në mbështetje të veteranëve të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) dhe pretendon se donacionet mund të përfitojnë nga subvencionimi tatimor.
Lista përfshin financimin prej 5,000 paundësh të një “udhëtimi terapeutik shërues” për ushtarët që kthehen nga Gaza, si dhe “trajtime individuale psikologjike”.
Fondacioni po mbledh gjithashtu 100,000 paund për një sallë përkujtimore në nderim të ushtarëve izraelitë të vrarë.
Të dhëna të tjera nga dy vjet më parë tregojnë se donacione britanike janë përdorur për të financuar pajisje për ushtarët izraelitë në shërbim, megjithëse nuk është e qartë nëse për këto donacione është shtuar Gift Aid.
Trajtimi për PTSD
Në përgjigje të hetimit, UK Toremet konfirmoi se i kishte dhënë para Fondacionit Yahalom për “ofrimin e trajtimit të PTSD-së për përfituesit e shoqatës”.
UK Toremet deklaroi se monitorimi i grantit kishte konfirmuar se fondet ishin përdorur ekskluzivisht për qëllimin e përcaktuar dhe argumentoi se ofrimi i trajtimit të shëndetit mendor për një individ përbën ndihmë sociale dhe mjekësore dhe është veprim bamirësie sipas ligjit anglez.
Megjithatë, UK Toremet mohoi përshkrimin e vetes si “platformë partnere” e Fondacionit Yahalom, duke thënë se ky përshkrim “nuk është i saktë”. Organizata tha se do të kontaktonte Fondacionin Yahalom lidhur me këtë formulim.
Ndërkohë, pretendimet e UK Toremet bien ndesh me ato të Fondacionit Yahalom, i cili thotë se “100 për qind” e donacioneve i dërgohen drejtpërdrejt Yahalom për të mbështetur misionin e tij kryesor.
Komisioni i Bamirësive në Britani kishte njoftuar një javë më parë se kishte nisur hetim ndaj tetë organizatave bamirëse britanike që veprojnë në vendbanime izraelite në Bregun Perëndimor. Rregullatori tha se do të shqyrtonte nëse fondet po përdoren në përputhje me qëllimet bamirëse.
Ndërkohë, HMRC, institucioni përgjegjës për Gift Aid, refuzoi të komentojë, duke thënë se rregullat e konfidencialitetit nuk e lejojnë të diskutojë çështjet tatimore të organizatave bamirëse. Fondacioni Yahalom nuk iu përgjigj kërkesës së Declassified për koment.