Skandali i mbi 5 tonëve marihuanë në Serbi, dyshime për përfshirjen e ish-kreut të BIA-s tashmë ministër i Mbrojtjes

Në Serbi janë ngritur dyshime për përfshirjen e ish-drejtorit të BIA-s, Bratisllav Gashiqit i cili është një prej figurave të fuqishme të pushtetit, në skandalin me mbi pesë tonë marihuanë të zbuluara në Konjuh të Krushevcit.

Në fund të janarit 2026, në pronën e kompanisë “Florakom” ishin gjetur më shumë se pesë tonë marihuanë, në atë që përbën sekuestrimin më të madh të kësaj droge në historinë e Serbisë. Vlera e sasisë së sekuestruar në tregun e zi është përllogaritur në rreth 50 milionë euro.

Si organizator i dyshuar është identifikuar Aleksandar Mijajlloviq, i cili ndodhet në arrati. Në mesin e të dyshuarve janë edhe Rade Spasojeviq, pronar i “Florakom”-it dhe këshilltar i SNS-së në Krushevc, djali i tij Nebojsha Spasojeviq, si dhe Ivan Dragniq e Urosh Mlladenovski.

Kështu ka shkruar, Ivana Drljić, aktiviste politike nga Serbia, e cila ka theksuar se rasti ka marrë edhe dimension politik për shkak të lidhjeve të disa prej të dyshuarve me strukturat e pushtetit, por veçanërisht për shkak të emrit të Bratisllav Gashiqit.

Emri i Gashiqit është tashmë pjesë e kësaj historie për shkak të përmendjes së tij gjatë arrestimit dhe rolit që ka pasur në strukturat e sigurisë së Serbisë. Megjithatë, deri tani nuk ka prova publike që e lidhin drejtpërdrejt atë me organizimin e trafikut të drogës në Konjuh.

Gjatë arrestimit, njëri prej të dyshuarve kishte deklaruar se bëhej fjalë për një “punë shtetërore” dhe kishte kërkuar që të thirrej ministri Bratisllav Gashiq. Ky detaj është bërë një prej elementeve më të diskutueshme të gjithë rastit.

Emri i Gashiqit është përmendur edhe më herët në çështje që lidhen me trafikun e drogës dhe strukturat e sigurisë në Serbi.

Në gjyqin për rastin “Jovanjica”, inspektori i policisë Dushan Mitiq kishte dëshmuar se policët që drejtonin aksionin kishin diskutuar mundësinë e arrestimit të Gashiqit, i cili në atë kohë ishte drejtor i BIA-s, si dhe të ish-kreut të Qendrës së BIA-s në Beograd, Mirko Shkerës, për shkak të dyshimeve për lidhje me Predrag Koluvijan.

Në këtë sfond, rasti i Konjuhut është shndërruar nga një operacion i madh antidrogë në një çështje që prek drejtpërdrejt edhe funksionimin e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë në Serbi.

Një tjetër element i rëndësishëm i çështjes është roli i prokurores Irena Bjellosh, e cila kishte trajtuar dosjen “Konjuh”.

Pas miratimit të të ashtuquajturave “ligje të Mrdiqit”, Bjellosh u largua nga Prokuroria për Krim të Organizuar (TOK). Ndryshimet në legjislacionin e drejtësisë shkaktuan reagime të forta nga një pjesë e komunitetit profesional dhe u vunë në diskutim edhe në kuadër të rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Pas këtyre zhvillimeve, Këshilli i Lartë i Prokurorisë rishqyrtoi statusin e prokurorëve dhe vendosi që Bjellosh, së bashku me një tjetër prokuror, të rikthehej në Prokurorinë për Krim të Organizuar.

Megjithatë, bashkëpunimi mes prokurorisë dhe institucioneve të tjera shtetërore, veçanërisht policisë, mbetet një prej problemeve kryesore në hetimin e rasteve të krimit të organizuar.

Shija e redaktorit

“Të jetoj i lirë” – Intervista e fundit e Thaçit...

Presidenti, Hashim Thaçi, do të jetë protagonist i një interviste ekskluzive në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjinit, e cila do të transmetohet nesër,...

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Të fundit nga rubrika