Skandaloze: Punonjësi i OSBE-së në Kosovë i jep “lavdi” kriminelit të luftës – fshin postimin, por jo foton me të dënuarën për spiunazh

Vladan Kostiq, një qytetar serb i Kosovës, ka publikuar një postim në llogarinë e tij personale në Facebook në lidhje me vdekjen e Ratko Mladiqit, ish-shefi ushtarak i serbëve të Bosnjës i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte gjatë luftës në Bosnje.

Në postimin e publikuar pas vdekjes së Mladiqit, Kostiq ka shkruar një mesazh që shpreh admirim ndaj ish-komandantit serb të Bosnjës.

“Gjeneral, gjithmonë të qoftë lavdia e përjetshme”, thuhet në postimin e Kostiqit.

Postimi ka qëndruar për disa orë në llogarinë e tij në Facebook, me pas ai e ka fshirë.

The GeoPost mëson se Kostiq është punonjës i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë.

Po ashtu, The GeoPost ka siguruar informacione se Kostiq në të kaluarën ka qenë pjesë e disa grupeve kriminale të të rinjve, të njohura si “KM-028”.

Ratko Mladiq ishte një nga figurat kryesore ushtarake të serbëve të Bosnjës gjatë luftës së viteve 1992–1995. Mekanizmi Ndërkombëtar Rezidual për Tribunalet Penale e la në fuqi dënimin e tij me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, përndjekje, vrasje, dëbime, terrorizim të civilëve dhe krime të tjera.

Në këtë sfond, një mesazh publik që shpreh admirim ndaj Mladiqit merr një peshë të veçantë, veçanërisht kur bëhet fjalë për një person që punon në një organizatë ndërkombëtare me mandat në fushën e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe proceseve demokratike në Kosovë.

Por postimi për Mladiqin nuk është i vetmi detaj që bie në sy në profilin publik të Kostiqit.

Në të njëjtin profil gjendet një fotografi ku ai shfaqet së bashku me Jelena Gjukanoviqin, ish-punonjëse e OSBE-së në Kosovë, e cila është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me gjashtë vjet burgim për spiunazh.

Vladan Kostiq dhe Jelena Gjukanoviq

Sipas aktakuzës, ajo kishte transmetuar informacione tek Agjencia Serbe e Sigurisë dhe Inteligjencës (BIA), ka rrezikuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës.

Gjukanoviq u shpall fajtore më 26 prill të këtij viti për veprën penale të spiunazhit kundër shtetit të Kosovës.

Në kohën kur u arrestua dhe u procedua rasti i saj, ajo ishte e punësuar në OSBE.

The GeoPost i ka dërguar OSBE-së disa pyetje lidhur me Vladan Kostiqin, duke kërkuar sqarime për postimin e tij në Facebook në lidhje me Ratko Mladiqin, si dhe për qëndrimin e institucionit ndaj deklaratave për Mladiqin.

Të fundit nga rubrika