Këngëtarja Fatlume Popovci, e cila njihet për zërin e saj melankolik, ka zgjedhur që këtë vjeshtë të sjell një baladë, e cila është pritur mjaft mirë nga publiku.

“S’ke dasht” është titulli i këngës më të re, të cilën këngëtarja e ka kompletuar edhe nga ana vizuale.

Në një bisedë në emisionin “Radar” me Edita Doli, në Radio Dukagjini, Fatlume Popovci, ka thënë se projekti i saj i fundit, kënga “S’ke dasht”, është punuar për qefi të saj.

“Projekti i fundit “S’ke dasht”, është një këngë që unë e kam punuar për qefi. Teksti i këngës është shkruar nga Aida Baraku, ndërsa produksioni audio u realizua nga Armend Rexhepagiqi & Fatjon Miftari. Kënga është kompletuar me videoklip nga produksioni FullMoon. Jam shumë e kënaqur me punën e gjithë ekipës së kësaj kënge”, ka thënë Fatlumja për Radio Dukagjini.

Gjatë kësaj bisede, Fatlumja ka folur edhe për jetën e saj private dhe fillimet e karierës para 16 vitesh.

“Karierën muzikore e kam filluar para 16 vitesh, si fëmijë ishte dëshira t’i hyja kësaj fushe. Pavarësisht vëshirësive, sakrificave me të cilat jam përballur, unë nuk jam ndal për të arritur suksesin që e gëzoj sot”, ka thënë Popovci.

Duke folur për jetën e saj bashkëshortore, Fatlumja ka treguar se është martuar në moshë shumë të re dhe është nënë e një djali.

“Ndoshta nuk është shembull shumë i mirë, por unë jam martuar në moshën 17 vjeçare. Me Besin e kemi gjetur veten tek njëri tjetri, e kemi një djalë dhe gëzojmë një familje të shëndoshë”, ka thënë Fatlumja për Radio Dukagjini.

Fatlume Popovci, është një nga këngëtaret më të kërkuara për mbrëmje muzikore, dasma e ahengje që tregon se këngëtarja ka arritur të përfitoj zemrën e një pjese të madhe të publikut.

Gjatë karrierës së saj, Fatlume Popovci ka realizuar një sërë këngësh të pëlqyeshme, por edhe versione të saja (‘cover’) të hiteve shqiptare.