Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS) në Angli po përgatitet të lançojë një sfidë të re ecjeje, e cila do t’i shpërblejë njerëzit me kupona blerjesh dhe zbritje nëse arrijnë objektivat e përditshme të aktivitetit fizik, raportojnë mediat britanike.
Sipas BBC-së, nisma e mbështetur nga NHS-ja, e quajtur sfida “një maratonë në muaj”, pritet të fillojë në fillim të vitit të ardhshëm dhe synon t’i inkurajojë njerëzit të ecin për 20 minuta çdo ditë.
Pjesëmarrësit që arrijnë objektivin ditor gjatë gjithë muajit do të përshkojnë rreth 42 kilometra, distanca ekuivalente e një maratone.
Përdoruesit do të mund t’i regjistrojnë shëtitjet e tyre onlajn ose përmes telefonave celularë apo orëve inteligjente. Ata që e përfundojnë sfidën do të kualifikohen për shpërblime, të cilat mund të përfshijnë stimuj dhe zbritje, thotë NHS-ja.
Zyrtarët shëndetësorë thuhet se janë aktualisht në bisedime me dyqane dhe platforma onlajn për një skemë besnikërie, të ngjashme me ato që ofrojnë supermarketet dhe zinxhirët e kafeneve, duke shpërblyer sjelljet e shëndetshme.
Nisma vjen ndërsa autoritetet shëndetësore po përpiqen të luftojnë stilin e jetesës sedentare në Mbretërinë e Bashkuar, ku shumë njerëz kalojnë pjesën më të madhe të ditës ulur në punë, duke udhëtuar me tren ose makinë dhe më pas duke mbetur joaktivë në shtëpi.