“S’na duhen spekulime”, BE-ja e mban fshehtë raportin e Borrellit për masat
Njeriu që vendos për përmbajtjen e dokumentit për heqjen masave ndëshkuese ndaj Kosovës, më 24 qershor do ta udhëheqë takimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian. Në rend dite, në agjendë është përfshirë edhe diskutimi për Ballkanin Perëndimor, për çka në Luksemburg do të jenë prezentë edhe ministrat e jashtëm të gjashtë […]
Njeriu që vendos për përmbajtjen e dokumentit për heqjen masave ndëshkuese ndaj Kosovës, më 24 qershor do ta udhëheqë takimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian.
Në rend dite, në agjendë është përfshirë edhe diskutimi për Ballkanin Perëndimor, për çka në Luksemburg do të jenë prezentë edhe ministrat e jashtëm të gjashtë vendeve, përfshirë Kosovën.
Por përkundër pritjeve, nga zëdhënësi i Borrellit, vazhdon të mungojë një konfirmim se raporti do tu dorëzohet vendeve anëtare e do jetë pjesë e diskutimeve pas një jave.
Për më tepër, Peter Stano, i pyetur për deklaratat me optimizëm të kryenegociatorit Besnik Bislimi për heqjen e masave, këto të fundit i ka quajtur spekulime.
“Nuk na duhet dikush nga jasht që të spekulojë për përmbajtjen dhe oraret. Do të bëhet në kohën e përshtatshem për Përfaqësuesin e Lartë dhe vendet anëtare, që do të jenë të parat që do ta shohin dhe diskutojnë përmbajtjen, para se të marrin vendimet e nevojshme,” ka thënë Peter Stano, Zëdhënës i BE-së.
Më tutje, Stano i pyetur për sasinë e konsiderueshme të armëve të kapura në vazhdimësi në veri, dhe mundësinë e rikthimit të grupeve kriminale, sërish është ndalur tek veprimet që i konsideron të njëanshme nga qeveria kosovare.
Dhe ka paralajmëruar sërish veprime nga blloku, nëse tensionet kthehen sërish.
“Eskalimi i vazhdueshëm, ishin arsyeja që BE-ja vendosi masat, kështu që sigurisht presim nga qeveria në Prishtinë dhe autoritetet kosovare që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për deeskalim, por të njëjtën e presim edhe nga pala Serbe. Pra të dy palët kanë çështje, të dy palët kanë obligime dhe e kanë për detyrë që të bëjnë gjithçka që është e mundur, bashkë me aletatë e partnerët, për të parandaluar eskalimet. Sepse nëse shohim prap situata të tilla, Bashkimi Evropian ka treguar se nëse është nevoja, mund të reagojmë edhe me forma të tjera përveç deklaratave publike,” ka shtuar Stano.
Qëndrime të ashpra si ky i Stanos sipas ish-diplomatit, Blerim Cana flasin për marrëdhëniet Kosova-BE, çka sipas tij nuk është sinjal i mirë.
“Unë nuk pres se do të ketë heqje të masave pikërisht për shkak të përdorimit ose më mirë të them keqpërdorimit të situatës në veri për konsum të brendshëm nga Qeveria jonë, por të them të drejtën të njëjtën e ka bërë edhe Qeveria serbe,” ka thënë Blerim Canaj , ish-zëvendës ambasador i Kosovës në Gjemani.
Canaj mendon se në situatën më ideale masat mund të hiqen vetëm pjesërisht.
Gjatë javës së kaluar, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, tha të ketë informacione se raporti i Borrellit, do të rekomandojë heqjen e masave për Kosovën që janë vendosur tash një vit.
Megjithëse ishte pritur konkretizimi i tij më herët, raporti i kryediplomatit evropian, që edhe ashtu është në fund të mandatit, ishte vonuar shkaku i zhvillimeve më të fundit në veri të vendit, që siç është paralajmëruar, do t’i përfshijë edhe ato.















