Soder: Hapim dyert e ekonomisë bavareze për Shqipërinë
Në konferencën e përbashkët për media në mes të kryeministrit të landit federal të Bavarisë, Markus Söder dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, u bë e ditur se ata nënshkruan një Deklaratë të Përbashkët për bashkëpunim në ekonomi, drejtësi, teknologji dhe ngritjen e një komisioni të përbashkët qeveritar në të dyja vendet për këtë qëllim. […]
Në konferencën e përbashkët për media në mes të kryeministrit të landit federal të Bavarisë, Markus Söder dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, u bë e ditur se ata nënshkruan një Deklaratë të Përbashkët për bashkëpunim në ekonomi, drejtësi, teknologji dhe ngritjen e një komisioni të përbashkët qeveritar në të dyja vendet për këtë qëllim.
Kryeministri bavarez, Söder ka theksuar në Tiranë vullnetin për forcim të marrëdhënieve të miqësisë dhe fqinjësisë me vendet e Evropës Juglindore dhe solli shpresa për përshpejtim të procesit të hyrjes në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, (BP) mes tyre edhe Shqipëria.
“Kemi ndjesinë që në Evropë ka boshte të tjera, shumë pak shihet drejt Evropës Juglindore, drejt fqinjëve të drejtpërdrejtë, në mënyrë që të përforcohen ndjenjat e miqësisë dhe të fqinjësisë. Evropa do të jetë e fortë vetëm nëse këto marrëdhënie përforcohen. Duhet ta bashkojmë sa më fort të jetë e mundur Evropën tonë. Ky bashkim është shumë i rëndësishëm edhe për Ballkanin Perëndimor”, ka thënë në konferencën e përbashkët për shtyp kryeministri i Landit Federal të Bavarisë, Markus Söder, duke lënë të kuptohet aspiratën e vendeve të BP për të hyrë në BE, shkruan DW.
Ai solli në vëmendje lidhjen historike të Bavarisë me Shqipërinë që prej vizitës së parë misterioze në 1984 të kryeministrit të atëhershëm bavarez, Franz Jozef Strauss, kryetar i Unionit Kristian-Social të Gjermanisë që hapi rrugën e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë së atëhershme komuniste dhe Republikës Federale të Gjermanisë.
“Ne e shikojmë veten si hapës të dyerve, si fqinj, si ura lidhëse”, ka theksuar kryeministri bavarez, Markus Söder.
Kryeministri bavarez, Markus Söder, prezantoi qëllimin e vizitës së tij të planifikuar në Tiranë dhe lajmin për ngritjen e zyrës së zhvillimit të sipërmarrjeve bavareze në Shqipëri.
“Ekonomia dhe sipërmarrjet bavareze do të hapin në Shqipëri një zyrë kontaktesh që do të funksionojë në të dyja drejtimet, nga Bavaria në drejtim të Shqipërisë dhe anasjelltas. Do të kemi mbështetjen e investimeve nga Bavaria në Shqipëri dhe nga ana tjetër mbështetjen e kualifikimeve të fuqisë punëtore në Shqipëri. Njerëzit nga Shqipëria mund të vijnë dhe të punojnë në Bavari në profesione të ndryshme. Është një situatë përfitimi nga të dyja palët”, ka thënë kryeministri Söder në Tiranë.
Kryeministri i Shqipërisë, Rama e ka vlerësuar ngritjen e zyrës së sipërpërmendur si “një kthesë të rëndësishme, një nivel tjetër në marrëdhëniet shumë të mira mes Bavarisë dhe Shqipërisë, si një ekuilibër ku të dyja palët përfitojnë, si një marrëveshje “win-win.”
“Kjo zyrë do t’i shërbejë thithjes së më shumë investimeve nga Bavaria, por edhe lidhjes, njohjes më të afërt të të gjithë mënyrës së zhvillimit të sipërmarrjes me përfitueshmëri për të dyja vendet”, ka thënë kryeministri Rama.
Kryeministri bavarez, Markus Söder, foli për bashkëpunim në bujqësi, në arsim, në polici, por edhe në kulturë.
“Ne e pranojmë ofertën e Shqipërisë për të ngritur këtu një shtëpi bavareze, me kulturë bavareze”, ka thënë Söder.
Gjatë vizitës së tij në Tiranë, kryeministri bavarez, Markus Söder, u nderua me medalje të lartë nga kryeministri Rama për “mbështetjen e veçantë të treguar ndaj Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, duke mos kursyer asnjë përpjekje për të konsoliduar proceset integruese, për kontributin dhe përkushtimin në forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes Bavarisë dhe Shqipërisë.”
Kryeministri Rama, në fjalën e mbajtur me rastin e dhënies së medaljes, e vlerësoi Franz Josef Strauss si një personalitet “legjendar, si babain e Bavarisë moderne”.















