Sorensen mirëpret zbatimin gradual të ligjeve për të huajt dhe automjetet në Kosovë
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka mirëpritur angazhimin e Kosova për sundimin e ligjit dhe për zbatimin gradual të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet, duke theksuar rëndësinë e një procesi të rregullt dhe gjithëpërfshirës në përputhje me marrëveshjet e dialogut. Pas takimit që zhvilloi të shtunën […]
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka mirëpritur angazhimin e Kosova për sundimin e ligjit dhe për zbatimin gradual të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet, duke theksuar rëndësinë e një procesi të rregullt dhe gjithëpërfshirës në përputhje me marrëveshjet e dialogut.
Pas takimit që zhvilloi të shtunën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Sorensen vlerësoi vendimin e marrë në dhjetor për zbatimin gradual të këtyre ligjeve, si dhe fushatën informuese që, sipas tij, është shtrirë në të gjithë territorin, njofton Dukagjini.
Ai tha se gjatë takimit është diskutuar për angazhimin e institucioneve të Kosovës në përgatitjen e procesit dhe përpjekjet për të siguruar një zbatim të rregullt të ligjeve.
“Patëm një takim të mirë këtë mëngjes ku mirëpritëm angazhimin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit dhe vendimin e saj të dhjetorit për të zbatuar gradualisht Ligjin për të Huajt dhe Ligjin për Automjetet, gjë që mundëson një fushatë gjithëpërfshirëse dhe të qasshme informuese për ata që preken. Ne kemi ndjekur përpjekjet informuese dhe hapat përgatitorë të ndërmarrë nga institucionet e Kosovës dhe vërejmë pozitivisht përpjekjet e bëra për të siguruar një zbatim të rregullt të të dy ligjeve. Fushata informuese është shtrirë dhe detajet e nevojshme vazhdojnë të ofrohen në të gjithë territorin”, deklaroi ai.
Sorensen theksoi se institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë hapa përgatitorë dhe kanë zhvilluar një fushatë informuese në mbarë vendin, ndërsa informacionet e nevojshme për qytetarët po vazhdojnë të ofrohen në mënyrë të vazhdueshme.
Ai shtoi se janë marrë parasysh edhe planet e Qeverisë së Kosovës për integrimin e shërbimeve dhe institucioneve brenda kornizës ligjore të vendit, në përputhje me marrëveshjet e arritura në dialog dhe angazhimet ndaj Bashkimit Evropian.
Sipas tij, ky proces duhet të garantojë ofrimin e pandërprerë të shërbimeve publike, veçanërisht në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë.
Sorensen theksoi gjithashtu nevojën për konsultime të strukturuara gjatë gjithë procesit me përfaqësuesit e komuniteteve në Kosovë, si dhe për bashkëpunim të ngushtë me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun.
Në këtë kontekst, ai e konsideroi prioritet sigurimin e lejeve të qëndrimit për punëtorët dhe studentët e përfshirë në këto institucione për një periudhë fillestare prej 12 muajsh, me qëllim që të shmangen ndërprerjet në shërbimet shëndetësore dhe arsimore.
Ai bëri të ditur gjithashtu se, për të garantuar vazhdimësinë e shërbimeve, është kërkuar që Kosova të lejojë përdorimin e letërnjoftimeve të lëshuara nga Serbia deri më 15 mars 2026 për personat që jetojnë në Kosovë, si mjet identifikimi për procedurat administrative.
“Ne këmbëngulëm në konsultime të strukturuara gjatë gjithë procesit me përfaqësuesit e komunitetit të Kosovës për të siguruar mbështetjen e tyre. Ky proces duhet të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me mua si përfaqësues i BE-së për dialogun dhe me procesin që unë ndjek në kuadër të tij. Në këtë kontekst, e konsideruam si prioritet kyç që Qeveria e Kosovës të sigurojë leje qëndrimi për punëtorët dhe studentët e përfshirë për një periudhë fillestare prej 12 muajsh, me qëllim parandalimin e çdo ndërprerjeje të shërbimeve shëndetësore dhe arsimore. Për të siguruar mosndërprerjen e shërbimeve, i kërkuam Kosovës të lejojë përdorimin e letërnjoftimeve të lëshuara jo më vonë se 15 mars 2026 nga Serbia për ata që jetojnë në Kosovë, si mjet identifikimi për proceset administrative”, u shpreh Sorensen.
Paralelisht me këtë proces, autoritetet e Kosovës pritet të bëjnë edhe regjistrimin e personave që plotësojnë kushtet në sistemin qendror të regjistrit civil të Kosovës, në përputhje me legjislacionin e vendit dhe me të drejtat e tyre të gjendjes civile.















