Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se gjatë së martës, më 4 gusht, do të hyjë në fuqi kufizimi i përkohshëm i qarkullimit për automjetet me peshë mbi 20 tonë, për shkak të temperaturave të larta të parashikuara.
Sipas njoftimit, në autoudhë ky kufizim do të zbatohet nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi parashikimet zyrtare tregojnë temperatura prej 32 gradë Celsius ose më të larta. Vendimi synon mbrojtjen e infrastrukturës rrugore gjatë periudhave me vapë të madhe.
Nga ky kufizim përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore. Ministria u ka bërë thirrje operatorëve dhe drejtuesve të automjeteve të respektojnë orarin e përcaktuar dhe të planifikojnë lëvizjet në përputhje me të, ndërsa ka bërë të ditur se në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse qarkullimi do të vazhdojë pa kufizime.