Sot mbahet seanca e Kuvendit, VV zbut qëndrimin: Do t’i votojë Çitakun dhe Shalën

Kuvendi i Kosovës pritet ta vazhdojë sot në orën 10:00 seancën konstituive, pas përplasjeve të së premtes që çuan në ndërprerjen e saj dy herë. Në qendër të diskutimeve mbetet zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Të premten, seanca u ndërpre fillimisht pasi deputetët e PDK-së lëshuan sallën, pasi Vetëvendosje nuk e përkrahu kandidaten e tyre për nënkryetare, Vlora Çitaku. Në votim, Çitaku mori 44 vota për, ndërsa 56 deputetë abstenuan dhe një votoi kundër. Kjo ndodhi pasi PDK-ja paraprakisht e kishte votuar kandidatin e VV-së, Ardian Gola.

Pas kësaj, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se partia e tij nuk do të marrë më pjesë në punimet e Kuvendit dhe paralajmëroi se çështjen do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

Më vonë, seanca u thirr sërish, por këtë herë deputetët e LDK-së lëshuan sallën. Ata kundërshtuan që të procedohej me zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e LDK-së pa u zgjedhur paraprakisht nënkryetari nga partia e dytë, PDK-ja. Si pasojë, seanca u ndërpre dhe u caktua të vazhdojë sot në orën 10:00.

Ndërkohë, mbrëmë Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme dhe ka marrë një vendim të ri lidhur me situatën.

VV ka bërë të ditur se sot do t’i votojë Vlora Çitakun e PDK-së dhe Kujtim Shalën e LDK-së për nënkryetarë të Kuvendit, pavarësisht qëndrimeve të mëparshme kundër këtyre kandidaturave.

Në njoftimin e saj, VV ka thënë se ky vendim synon të shmangë një tjetër bllokadë institucionale dhe zgjedhje të reja, duke e cilësuar situatën si moment vendimtar për stabilitetin institucional të vendit.

Megjithatë, Vetëvendosje ka vendosur një pritshmëri politike ndaj PDK-së dhe LDK-së. Sipas VV-së, mbështetja për Çitakun dhe Shalën duhet të shoqërohet me konstruktivitet lidhur me zgjedhjen e presidentit, duke kërkuar që deputetët të mos e bojkotojnë procesin.

Tash mbetet të shihet nëse deputetët e PDK-së do të kthehen në sallë, pasi Bedri Hamza të premten kishte deklaruar se partia e tij nuk do të marrë pjesë më në seancat e Kuvendit. Ndërkohë, Albin Kurti kishte kërkuar takim me Hamzën për të sqaruar çështjen e kandidatit të PDK-së për nënkryetar dhe kishte bërë thirrje që PDK-ja të marrë pjesë në seancën e së dielës.

Të fundit nga rubrika