Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, e cila do të mbahet këtë të hënë, më 27 janar 2025.

Të akuzuarit për vrasjen e Ademajt, Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, do të dalin para gjykatës për të dhënë deklaratat e tyre.

Deri tani, tre të akuzuarit, Murseli, Kokalla dhe Plava, ndodhen në paraburgim, ndërsa për Dodajn, i cili dyshohet se ka shitur armën dorasit, është vendosur të lirohet pasi Gjykata Supreme ndërpreu masën e paraburgimit ndaj tij.

Liridona Ademaj, 30-vjeçare, është vrarë të mërkurën, më 29 nëntor, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.

Rasti fillimisht ishte raportuar si “grabitje me pasoja të vrasjes”, por dy ditë më vonë autoritetet kishte arrestuar dy persona. Në mesin e tyre ishte edhe bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli.

Tre të akuzuarit e tjerë janë Kushtrim Kokalla, Granit Plava dhe një person i katërt, emri i të cilit nuk është përmendur nga prokurorët kur ata njoftuan për ngritjen e aktakuzës.

Sipas Prokurorisë, Naim Murseli kishte “planifikuar gjithçka”, ndërkaq Kokalla dhe Plava, sipas organit ndjekës ishin “ekzekutues të drejtpërdrejtë” të Liridonës. I akuzuari i katërt, sipas Prokurorisë është i përfshirë në mënyrë të tërthortë në këtë rast.