Kuvendi i Kosovës ka hyrë në javën e pestë të bllokadës politike, pa arritur ende të konstituohet.

Përpjekjet për zgjedhjen e kryesisë kanë dështuar disa herë, ndërsa seanca konstituive pritet të vazhdojë këtë të hënë në orën 10:00.

Të shtunën që shkoi, deputetët e Kuvendit për të dytën herë me radhë kanë refuzuar që të formohet një komision për votimin e fshehtë për të votuar për kryeparlamentarin.

Në vazhdimin e dhjetë të seancës konstituive, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe kanë refuzuar sërish që të propozojnë një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.

Lëvizja Vetëvendosje, akuzoi partitë që legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, për bllokim të procesit.

Ndërsa, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka deklaruar se është jokushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë.

Sipas tij, partia fituese e zgjedhjeve po tenton që të “mbajë pushtetin me çdo kusht”, duke e akuzuar sërish se ka një mentalitet “të diktatit”.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se ndryshimi i mënyrës së votimit për kryeparlamentarin gjatë procesit është jokushtetues dhe se LDK nuk do ta votojë Albulena Haxhiun.

Edhe Time Kadrijaj nga AAK e quajti ndryshimin joligjor dhe tha se është taktikë e LVV-së për të mos e dështuar Haxhiun.

Ajo kërkoi që LVV-ja të propozojë një tjetër emër.