Instituti GAP do të mbajë këtë të premte një konferencë për media, për të prezantuar rezultatet e raportit të titulluar “Prirja për të emigruar nga Kosova pas liberalizimit të vizave: Ndikimi në fuqinë punëtore”.

Raporti hulumton ndikimin e emigrimit të qytetarëve të Kosovës në tregun e punës dhe është rezultat i një ankete të zhvilluar në dhjetor të vitit 2023.

Përveç kësaj, raporti analizon praktikat e shteteve të rajonit, që, sipas njoftimit të tyre, kanë përjetuar një rritje të lartë të numrit të emigrantëve.

“Në dhjetor të vitit 2023, GAP ka realizuar një anketë për matjen e opinionit publik në lidhje me planet e qytetarëve për të emigruar pas liberalizimit të vizave, si dhe janë analizuar praktikat e shteteve të rajonit të cilat janë përballur me shkallë të lartë të emigrimit”, thuhet në njoftim.

Konferenca për medie do të zhvillohet në selinë e Institutit GAP, “Pejton”, në Prishtinë, dhe do të fillojë në orën 10:00.

“Instituti GAP organizon konferencë për media me temë “Prirja për të emigruar nga Kosova pas liberalizimit të vizave: ndikimi në fuqinë punëtore”. (Instituti GAP, “Pejton”, Prishtinë, ora 10:00)”, thuhet tutje në njoftim.