Sot shpallet aktgjykimi në mungesë ndaj Ivica Rajkoviq e Dragan Deniq për dhunim gjatë luftës
Gjykata Themelore në Prishtinë do të shpallë të hënën aktgjykimin ndaj Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq, të cilët akuzohen për dhunim seksual gjatë luftës në Kosovë. Ky është rasti i parë që përfundon me aktgjykim në mungesë për një krim të tillë. Rajkoviq dhe Deniq, të dy ish-policë serbë në Prishtinë, akuzohen për dhunim seksual […]
Gjykata Themelore në Prishtinë do të shpallë të hënën aktgjykimin ndaj Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq, të cilët akuzohen për dhunim seksual gjatë luftës në Kosovë.
Ky është rasti i parë që përfundon me aktgjykim në mungesë për një krim të tillë.
Rajkoviq dhe Deniq, të dy ish-policë serbë në Prishtinë, akuzohen për dhunim seksual ndaj një gruaje shqiptare në fshatin Kolovicë, gjatë luftës së viteve ’98-’99.
Sipas dëshmive, krimi ka ndodhur para syve të bashkëshortit të viktimës, i cili është dëshmitari kyç në këtë proces gjyqësor.
E mbijetuara ka deklaruar se ishte dhunuar nga gjashtë persona, por vetëm Rajkoviq dhe Deniq janë identifikuar nga ajo dhe për rrjedhojë janë përfshirë në këtë aktakuzë.
Përveç dhunimit seksual, sipas dëshmive të paraqitura në gjykatë, të akuzuarit dyshohet se kanë kryer edhe krime të tjera lufte, si tortura, maltretime dhe plaçkitje, të cilat nuk janë përfshirë në këtë procedim penal.
Rasti është ndjekur dhe përfaqësuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).
Gjykimi është zhvilluar në mungesë, pasi autoritetet nuk kanë arritur të arrestojnë të akuzuarit.
Ky është rasti i katërt i dhunës seksuale gjatë luftës që ka përfunduar me aktgjykim.
Deri më tani, Zoran Vukotiq është dënuar me 13 vjet burg në një rast, ndërsa në një rast tjetër ndaj tij është dhënë aktgjykim lirues.
Ndërkaq, Zhivojin Nesiq, i njohur si “Zhika”, është dënuar me 15 vjet burgim.















