Kuvendi i Kosovës me fillim nga ora 11:00 do të vazhdojë sot seancën konstituive të legjislaturës së 11-të, pas ndërprerjes së saj më 9 shtator, kur procesi u bllokua te zgjedhja e nënkryetarëve.
Me 62 vota, Albulena Haxhiu e Lëvizjes Vetëvendosje u rizgjodh kryetare e Kuvendit në vazhdimin e seancës që kishte nisur më 6 gusht.
Megjithatë, procedura mbeti e papërfunduar për shkak të mosmarrëveshjeve rreth zgjedhjes së pesë nënkryetarëve – tre nga partitë shqiptare dhe dy nga komunitetet joshumicë.
Vetëvendosje, propozoi Ardian Golën, PDK-ja propozoi Vlora Çitakun si dhe LDK-ja Kujtim Shala. Ndërsa nga radhët e komunitetit serb u propozua Sllavko Simiq. Kurse nga radhët e komunitetit joshumicë Emilija Rexhepin.
Një nga çështjet që shkaktoi përplasje ishte propozimi i deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq, i cili propozoi Simiqin për nënkryetar “në emër të popullit serb”.
Haxhiu kërkoi që ky formulim të tërhiqej dhe kandidati të propozohej sërish, duke argumentuar se në Kosovë nuk ekziston koncepti kushtetues i “popullit serb”, por ai i popullit të Kosovës. Lista Serbe e ka përdorur edhe më herët këtë formulim në Kuvend.
Përveç kësaj, partitë nuk arritën pajtim nëse nënkryetarët duhet të votohen veç e veç apo në pako. Në legjislaturën e kaluar, votimi ishte bërë në pako.
Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar PDK-në dhe LDK-në se po kërkojnë vota për kandidatët e tyre për nënkryetarë, ndërsa nuk po e mbështesin propozimin e LVV-së për president. Në anën tjetër, PDK-ja dhe LDK-ja e kanë akuzuar LVV-në dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për zvarritjen e formimit të institucioneve.
Seanca e 9 shtatorit u bojkotua nga Aleanca, e cila ka shtatë deputetë. Kjo parti ka argumentuar se afati kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit ka skaduar më 7 gusht, ndërsa edhe afati i vendosur nga vetë LVV-ja ka përfunduar më 6 shtator.