Marrëveshje të suksesshme e ka cilësuar profesori Nexhmedin Spahiu, marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel, nga pala kosovare e serbe, për faturimin e katër komunave të veriut të Kosovës.

Spahiu, ka theksuar se humbjet nga mosfaturimi i katër komunave me shumicë serbe në veri të vendit, i kanë kushtuar Kosovës miliona euro.

Sipas Spahiut, nuk ka rëndësi nëse kompania që do t’i mbledhë faturat do të jetë serbe apo e ndonjë shteti tjetër.

“Është sukses, nuk i di detajet, por nëse faturat e energjisë të paguhen atëherë më pak e rëndësishme është se këto do t’i mbledhë një kompani turke apo serbe, me rëndësi, qytetarët e Kosovës nuk do ta paguajnë rrymën për një pjesë të qytetarëve të tjerë. Gjysë miliardi, euro ka qenë çmimi që e kanë paguar qytetarët për një pjesë të veriut, gjysmë milioni euro ka kushtuar kjo budallaki”, ka thënë ai në emisionin Five të Rtv Dukagjinit.

Gazetari i Rtv Dukagjinit, Sylejman Sylejmani dhe profesori Nexhmedin Spahiu

Spahiu, e ka komentuar edhe protestën e paralajmëruar nga qytetarët e Mitrovicës së Veriut, për ta kundërshtuar marrëveshjen për energji, që di detyron ata ta paguajnë rrymën elektrike pas më shumë se 20 vjet.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës, duhet t’i menaxhojë të gjitha pasojat që do të mund të vijnë në implementimin e marrëveshjes për energji.

“Kur mësohesh 23 vjet mos ta paguash rrymën, është kogja kiamet me fillu me pagu, normal që ka reagime e do të ketë protesta, por tash është aftësia e qeverisë, se si do ta menaxhojë këtë, dhe si do të gjendet në këtë situatë”, ka thënë ai.

“Qeveria e Serbisë, dëshiron të tregojë para botës që ajo e ka situatën në botë. Që të përfitojë në detaje, nuk po i di detajet por do të ketë hapësirë në implementim të përfitojë nga situata”, ka vijuar Spahiu.

Profesori nga qyteti i Mitrovicës, ka thënë se opozita nuk duhet ta kritikojë Qeverinë e Kosovës, për nënshkrimin e kësaj marrëveshje sepse sipas tij, nënshkrimi i saj është lajm pozitiv për Kosovën.

“Është e quditshme se si opozita nuk e kritikon qeverinë për dështimet e saj, por kritikon kur ka sukses sado të vogël, është reagim jopatriotik, më shumë i pengon suksesi i tjetrit se sa dështimi që është keq për tërë vendin”, ka thënë ai.

Në kundërshtim të marrëveshjes për energji, serbët e veriut do të protestojnë të premten duke filluar nga ora 19:00.