Analisti Nexhmedin Spahiu ka thënë se sikur mos të ishte Oliver Ivanoviq nuk do të kishte serbë në Kosovë.
I ftuar në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, Spahiu ka thënë se një veprimi i Kurtit lidhur me Ivanoviq, ishte një akt politik.
“Është një akt politik, besoj njëjtë me atë kur kryeministri i mëparshëm, Ramush Haradinaj ka mbajtur një minutë heshtje në qeveri me rastin e vdekjes së tij. Mendoj se pavarësisht biografisë së Oliver Ivanoviqit, si veprim politik e arsyetoj dhe mendoj se është me vend….nese futemi te biografia e Oliverit, sigurisht se mos të ishte Oliveri, nuk do të kishte serbë në Kosovë”, ka deklaruar ai.
Sipas Spahiut, Ivanoviq është ai i cili kishte organizuar “Rojet e Urës” edhe me këtë ai nuk i ka lënë shqiptarët të depërtojnë në Veri. Ai thotë se Ivanoviq ishte konsideruar si mbrojtës për komunitetin serb.
“Sikur të mos ishte Oliveri nuk do të kishte serbë në Veri të Mitrovicës. Serbët nuk do të kishin Universitet në Kosovë dhe gjatë këtyre 24 viteve do të shpërnguleshin nga e gjithë Kosova. Ai nga ana e serbëve në Kosovë konsiderohet si mbrojtës i tyre. Unë asnjëherë nuk e kam parë komunitetin serb më të trishtë sesa ditën që është vrarë Oliver Ivanoviq. Oliver Ivanoviq është vrarë nga qeveria në Beograd dhe fakti që ne akoma nuk mund ta zbardhim këtë ngjarje tregon brishtësinë dhe dobësinë e shtetit të Kosovës dhe me këtë deklaratë, Albin Kurti në njëfarë mënyre përpiqet me arsyetuu, me poentu në kuptimin që ta godas Vuçiqin…”, ka deklaruar ai.
Në një komunikatë të 3 shkurtit 2019, partia e Albin Kurtit thoshte se dënimi i politikanit serb Oliver Ivanoviq ishte gjysmak, derisa e akuzonte për vrasjen e dëbimin e shqiptarëve të rënë me 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000.
“I dënuar nga drejtësia gjysmake e EULEX-it për diçka që për pak sa se pranon me gojën e vet, por për çudinë e botës i përkujtuar me një minut heshtje nga qeveria e Kosovës në të njëjtën ditë me Komandant Jonuz Musliun”, shkruante Vetëvendosje.
Në ditët e sotme, 4 vjet më pas kryetari i kësaj partie e tashmë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti lartësoi figurën e kontributin e Ivanoviq në një video të veçantë në përvjetorin e vrasjes së tij.